Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kritikuar ashpër mënyrën se si po zhvillohet komunikimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për një marrëveshje të mundshme bashkëqeverisjeje.
Kjo kritikë e tij ka ardhur pas refuzimit të LDK-së për koalicion me LVV-në, ku kreu i saj Lumir Abdixhiku propozoi qeveri të tranzicionit.
“Koalicionet dhe partneritetet për bashkëqeverisje nuk ndërtohen me letra publike, por me dialog serioz politik”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Kryeziu e cilësoi këtë qasje si “lojë taktike për të mbetur në vëmendjen e publikut” dhe jo si një përpjekje reale për zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale që po përjeton vendi.
“Ky mjet i ri komunikimi për dialog ndërpartiak, po zhvillohet dhe po tërheq vëmendje vetëm në ishullin tonë politik. Në një sistem plural dhe demokratik, bashkëpunimi ndërmjet partive ndodh përmes takimeve, negociatave, marrëveshjeve, nganjëherë edhe përmes mosmarrëveshjeve, por jo përmes letrave publike”, ka shkruar Kryeziu.
Ai shtoi se në një sistem demokratik, marrëveshjet ndërpartiake ndërtohen përmes takimeve e negociatave dhe jo me komunikime publike që shërbejnë më shumë për “propagandë për konsum politik”.
“Letrat e VV-së dhe LDK-së nuk përbëjnë asnjë veprim politik serioz e as përpjekje reale për të dalë nga ngërçi politik dhe institucional në të cilin ndodhemi. Më shumë janë lojë taktike për të mbetur në vëmendjen e publikut, ripërsëritje e pozicionimit për opinionin dhe propagandë për konsum politik”, shkroi Kryeziu.