Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka thënë të enjten se problemi i sistemit shëndetësor është legjislacioni dhe moszbatimi i tij, ndërsa theksoi se shëndetësia në Kosovë është vështirë e menaxhueshme, pasi sipas tij, nuk ka një zinxhirë që funksionon.
Sejdiu këto komente i bëri në diskutimin me temë “Imuniteti i Sistemit Shëndetësor ndaj Korrupsionit”, organizuar nga koalicioni i OJQ-ve në kuadër të “Javës Kundër Korruspionit 2022”, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Të gjitha raportet që dalin kanë probleme, ne nuk kemi sistem shëndetësor. Dhe çfarëdo kabineti që vjen nuk mundet me menaxhu. Nuk ka një zinxhirë që funksionon. Është çështja e legjislacionit dhe menaxhimit të këtyre të institucioneve. Është problemi i legjislacionit dhe implementimi i tij. Ka një mostransparencë”, ka thënë Sejdiu, i cili vuri në pah edhe një herë fenomenin e ikjes së mjekëve, ku siç thotë, shifra e tyre është mbi 200.
Ai pati akuza për Ministrinë e Shëndetësisë, për të cilët thotë se nuk e kanë zbatuar Ligjin për Shëndetësinë. Thotë se po të ishte kryeministër, do t’i kishte shkarkuar të gjithë përgjegjësit.
“Ky ligj i shëndetësisë është i mirë. Pse nuk po zbatohet është problemi. Dhe ku është përgjegjësia në moszbatimin e tij. Janë lejuar burokratë në MSH t’i grahin ne vetvete. Kemi alarmuar nivelet politike. I kemi ngrirë me shkrim këto probleme sepse është detyrë e Odës. Po të isha kryeministër, unë i kisha shkarku të gjithë sepse ata kanë dështuar dhe andaj ka qenë e nevojshme krijimi i komitetit ekzekutiv, por jo afatgjatë”, shtoi Sejdiu.
Megjithatë, përveç zbatimit, një tjetër problem sipas Sejdiut, është edhe që shumica e ligjeve janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Thotë se kjo po çon në moszbatimin e tyre.
Kritika pati edhe për kompanitë farmaceutike. Shton se i kanë kërkuar Ministrisë që të ketë monitorim dhe të zvogëlojnë ndikimin e këtyre kompanive mbi profesionistët shëndetësorë.
Për këto çështje të ngritur nga kryetari i Odës së Mjekëve, u përgjigj Hysni Mehanit, këshilltari i u.d. ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku. Mehani vuri në theks se MSH-ja ka kaluar nëpër vite jo të lehta për shkak të pandemisë, por thotë se kanë rritur buxhetin për 98 milionë euro më shumë dhe me këtë buxhet synojnë të shtojnë numrin e inspektorëve për ta mbikëqyrur sektorin farmaceutik.
“Kemi qenë te vetëdijshëm për problemet dhe po vazhdojmë t’i trajtojmë. 98 milionë euro më shumë do të thotë vëmendje më e madhe për pozita të reja shëndetësore. 40 inspektorë më shumë do t’i ndihmojë sektorit farmaceutik sepse do të katërfishohen inspektimet gjatë vitit”, ka thënë Mehani, duke insistuar se kabienti i Gexha-Bunjaku janë në transparencë të plotë.
Ai ka thënë se për të gjitha çështjet e ngritura problemi nuk është vetëm te MSH-ja, por edhe tek institucionet e tjera.
Ndërkohë, Sejde Tolaj, u.d. i kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pjisje Mjekësore, ka thënë se në Kosovë ka më shumë seç duhet barnatore për kokë banori. Kjo, sipas tij, duhet të rregullohet me udhëzime administrative.
“Dje kemi biseduar që të mos ketë më barnatore me një farmacist, por me dy. Kjo ka me u rregullu shumë shpejt me akt nënligjor. Është numër shumë i madh i barnatoreve dhe afër njëra-tjetrën. Duhet rregullohet me udhëzime administrative dhe distance. Është qenësore që në barnatore të mos jetë pronar dikush që nuk është farmacist.