Kryetari i Odës së Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK) z.Uran Kyçyku, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit dhe nga funksioni i anëtarit të Bordit Drejtues të OARK-së.
Përmes një njoftimi publik të bërë më 25 maj 2026, ai ka bërë të ditur se vendimi vjen si pasojë e zhvillimeve të fundit brenda institucionit, të cilat, sipas tij, kanë pamundësuar ushtrimin normal dhe efektiv të detyrës.
Në arsyetimin e dorëheqjes, ai ka përmendur pamundësimin e organizimit të Kuvendit të OARK-së brenda afateve ligjore, cenimin e sigurisë personale përmes kërcënimeve serioze, si dhe vendimmarrje të Bordit Drejtues që, sipas tij, kanë dëmtuar funksionimin administrativ dhe stabilitetin institucional të Odës.
“Që nga dita e parë e marrjes së detyrës, kam punuar me përkushtim të plotë dhe përgjegjësi institucionale, me synimin që OARK të funksionalizohet si institucion i pavarur dhe profesional, i ndërtuar mbi standarde evropiane”, thuhet në njoftim.
Kyçyku ka deklaruar se, në rrethanat aktuale dhe pa mundësi reale për të parandaluar procese që i konsideron të dëmshme për institucionin, nuk mund të vazhdojë të mbajë përgjegjësi për zhvillime mbi të cilat nuk ka ndikim efektiv.
Në fund të njoftimit, ish-kryetari ka falënderuar anëtarët e OARK-së për besimin dhe mbështetjen gjatë mandatit të tij.



