Pas përballjes me pyetje të shumta të deputetëve që po kërkojnë sqarime pse u lejuan të transmetohen kanalet e Serbisë në Kosovë, kryetari i Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka thënë mesazhet e publikuara në kanalet serbe në platformat e Kosovës kanë cenuar sigurinë e përgjithshme dhe kanë dëmtuar interesin nacional.
Por Mehmeti ka thënë se shfuqizimi i vendimit ishte marrë pas katër muajsh pasi kanë pasur edhe një letër nga “Arena”.
Mehmeti ka treguar se “Arena” ka garantuar se nuk do të ketë më mesazhe politike dhe se do të zbatohen rregulloret e KPM-së.
“Në fund jemi ballafaquar me kërkesa direkte nga “Arena”, me lutjen aman rishqyrtojeni vendimin se po cenohet e drejta e një komuniteti të caktuar nga ngjarjes sportive. Kemi mekanizma të ri që garantojnë se mesazhe të tilla politike në kanalet sportive kurrë më nuk do të përsëriten. Jep siguri se në plotëni respektohen Rregulloret e KPM-së. Kjo letër i është dërguar edhe ambasadave në Kosovë”, ka thënë në arsyetimin e tij Mehmeti.
Ndërkaq kryetari i Komisionit për Administratë Publikë, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Valon Ramadani ka bërë të ditur se sot në mëngjes ka pranuar disa email-a nga DigitAlb dhe Liga Premier.
Ramadani gjatë mbledhjes që po mbahet takimi edhe me anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media (KPM) në këtë Komisioni ka thënë se në shkresën e Liga Premier ndër të tjera thuhet se “ArtMotion” nuk ka të drejtë transmetimi ligën angleze në Kosovë.
“Kam pranuar disa e-mail nga DigitAlb dhe nga Liga Premier dhe mund t’i publikojë ato email-a që t’i shohin dhe anëtarët e KPM-së. E-mail ju ka dërguar dhe kryetarit të Kuvendit. Në shkresën e Ligës Premier thuhet që Art Motion s’ka të drejtë të transmetimi ligën në Kosovë”, ka thënë kryetari i këtij komisioni.
Në lidhje me këtë reagoi, deputeti nga radhët e PDK-së, njëherësh nënkryetar i Komisionit, Isak Shabani i cili shprehu pakënaqësitë për mënyrën e udhëheqjes së mbledhjes.
“Po vazhdon avazi i vjetër. Kryetari i Komisionit thotë që ka e-mail e këndej nuk i ka shpërnda tek anëtarët e Komisionit. Nuk shkon kështu. Kjo është e padrejtë. Çdo e dhënë që është tek kryetari duhet ta kenë edhe anëtarët e komisionit”, ka thënë Shabani.
Edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Agim Veliu tha se anëtarët e Komisionit janë të hendikepuar me materiale.
“Pikërisht për këto problematika që ju hapët në fillim kemi kërkuar që kjo mbledhje të shtyhet. I kemi marr disa materiale edhe pse me vonesë. Tash po ngritën çështje të tjera të e-mail, e kjo s’është e nevojshme të hapen çështje të konspiracioneve, por duhet të informohen anëtarët e Komisionit. Një pjesë e anëtarëve të Komisionit janë të hendikepuar me materiale”, ka thënë Veliu.
Ndërkaq deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nijazi Isaku ka kërkuar shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), duke thënë se vendimet e këtij komisioni për kanalet serbe ka rrezikuar sigurinë nacionale dhe interesin e përgjithshëm.
“Shkarkim dhe vetëm shkarkim”, ka thënë Isaku, në mbledhjen ku po raportojnë anëtarët e KPM-së.
Paraprakisht Isaku ka thënë se KPM ka rrezikuar sigurinë nacionale kur ka vendosur të pezullojë vendimin, i cili ndalonte kanalet e “Arenas” nga Telekomi i Serbisë, e të cilat shfaqen mesazhe mbështetëse për terroristët që kryen sulm ndaj Kosovës.
Duke cituar vendimin e KPM-së, Isaku ka thënë se ndalimi i programeve serbe ishte bërë me qëllim që të mos cenohet siguria nacionale.
“Me të vërtetë është cënu siguria nacionale dhe interesi i përgjithshëm i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar deputeti Isaku.
“Sepse krejt dynjaja e di, krejt ky vend e di që është ataku siguria nacionale më 3 tetor. Edhe ju jeni kanë të bindur fuqishëm se është atakuar siguria dhe interesi i përgjithshëm në vend. Çka ndrysho?”, ka pyetur ai.
Këto komente deputeti i Vetëvendosjes i ka bërë në mbledhjen ku po raportojnë anëtarët e KPM-së, ndërsa iu ka kërkuar sqarime për vendimin që lejon të transmetohen kanalet e Serbisë në Kosovë.