Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK), Dardan Velija, ka reaguar ashpër ndaj një artikulli të publikuar nga portali Periskopi, duke e cilësuar atë si shpifës, fyes dhe tërësisht të pabazuar, transmeton KosovaNews.
Në një deklaratë publike, Velija i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e shfaqura në artikull, duke i cilësuar si të fabrikuara dhe me synim dëmtimin e reputacionit të tij personal dhe profesional. Ai ka theksuar se insinuatat që lidhen me të kaluarën e tij, përfshirë një rrëfim nga viti 2004, janë spekulime të pabaza dhe përpjekje për ta lidhur atë me motive politike të paqena.
“Kam shërbyer me ndershmëri dhe transparencë në çdo detyrë publike dhe nuk do të lejoj më që asnjë portal apo individ të njollosë emrin tim pa u përballur me pasojat,” ka deklaruar Velija.
Ai ka bërë të ditur se ka ndërmarrë hapa ligjorë kundër portalit dhe personave përgjegjës, duke theksuar se liria e medias duhet të shoqërohet me përgjegjësi.
“Përhapja e qëllimshme e shpifjeve dhe dezinformatave nuk është gazetari – është atentat ndaj karakterit,” ka shtuar ai, duke falënderuar të gjithë ata që i kanë ofruar mbështetje.
Velija ka shprehur bindjen se e vërteta dhe drejtësia do të dalin në pah.
Postimi i Plotë:
Deklaratë Publike – Lidhur me publikimin shpifës e fyes kundër meje nga portali Periskopi
Në lidhje me artikullin e fundit të publikuar nga portali Periskopi, i cili më akuzon padrejtësisht për keqpërdorim dhe tenton të manipulojë opinionin publik me insinuata të pabazuara, ndjej detyrimin të reagoj qartë dhe publikisht.
Pretendimet e shfaqura në atë artikull janë plotësisht të pavërteta, tërësisht të sajuara dhe dëmtojnë rëndë reputacionin tim personal dhe profesional, ashtu siç e kanë qëllimin. Referencat ndaj të kaluarës sime, përfshirë një rrëfim qesharak spekulativ nga viti 2004, janë të pavenda dhe përbëjnë një përpjekje të ulët për të më lidhur me insinuata politike të pabaza.
Kam shërbyer gjithmonë me ndershmëri dhe transparencë në çdo detyrë publike, dhe nuk do të lejoj më që asnjë portal apo individ të njollosë emrin tim pa u përballur vetë me pasojat e veprimeve të veta kundër meje. Për këtë arsye, kam vendosur të ndërmarr veprime ligjore ndaj portalit Periskopi dhe kushdo qofte prapa atij portali për shpifje dhe dëmtim të qëllimshëm të reputacionit tim.
Liria e medias është shtyllë e demokracisë, por ajo vjen me përgjegjësi. Kam qenë vetë gazetar në një kohë shumë të vështirë. Përhapja e qëllimshme e shpifjeve, dezinformatave dhe fyerjet pa prova nuk janë gazetari – janë atentat ndaj karakterit.
Faleminderit të gjithëve që më kanë kontaktuar me mbështetje. Ju siguroj se e vërteta dhe drejtësia do të dalin në pah.
Dardan Velija