Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën e themelimit të Policisë së Kosovës ka thënë se motoja e përvjetorit të Policisë është “24 vite në shërbim dhe në mbrojtje”.
Kryeministri Kurti ka uruar Policinë e Kosovës në përvjetorin e tyre të 24-të, duke thënë se që nga data 6 shtator e vitit 1999, policia u ka shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit tonë, duke mbrojtur jetën dhe pronën e tyre, si dhe duke e ruajtur sovranitetin e vendit.
Kurti ndjeu mirënjohje për zhvillimet operative policore gjatë viteve të fundit, ku qeveria e tij është zotuar për luftimin e krimit, korrupsionit dhe dukurive ilegale të cilat cenojnë sigurinë e vendit.
Ai, tutje tha se Policia e Kosovës ka kryer me sukses me mbi 1100 operacione, ku prej tyre janë 100 grupe kriminale të shkatërruara, mbi 2.200 kg substance narkotike të konfiskuara, 16 laboratorë të drogës të shkatërruar.
“Policia e Kosovës sot shënon 24 vjetorin e themelimit të saj. “24 vite në shërbim dhe në mbrojtje” është motoja e këtij përvjetori, e cila më së miri përfaqëson Policinë tonë. Që nga gjenerata e parë policore kur filloi trajnimin me 6 shtator 1999, Policia jonë shërbeu për të gjithë qytetarët tanë duke mbrojtur jetën dhe pronën e tyre e duke ruajtur sovranitetin e vendit tonë.
Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi zotuar për luftim të krimit, korrupsionit dhe çdo ilegaliteti që cënon sigurinë e vendit tonë e të qytetarëve tanë dhe jam mirënjohës që në këtë rrugëtim prej më shumë se dy vitesh, kemi arritur suksese falë zyrtarëve policor të përkushtuar e profesional në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Mbi 1100 operacione të realizuara, 100 grupe kriminale të shkatërruara, mbi 2.200 kg substance narkotike të konfiskuara, 16 laboratorë të drogës të shkatërruar, janë suksese që Policinë e Kosovës e kanë renditur ndër institucionet më të besueshme për qytetarët tanë ndërsa Republikën tonë e kanë ngritur në listat e shteteve serioze e të përkushtuara për luftimin e kriminalitetit.
Të gjithë zyrtarëve policor që sot janë në krye të detyrës në çdo cep të Republikës së Kosovës u uroj 24 vjetorin e themelimit të Policisë. Bashkë ndajmë sfida e suksese, bashkë do të ngrisim e forcojmë edhe më shumë shtetin tonë.”, ka shkruar Kurti në facebook.


