Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi rezultatet e para përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024). Lidhur me këtë ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se ky proces ka ndjekur standardet e Eurostat-it dhe të Kombeve të Bashkuar dhe kjo e forcon pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj të gjithë atyre që kontribuan në realizimin e suksesshëm të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024.
“Falënderoj Agjencinë e Statistikave të Kosovës, stafin e angazhuar drejtpërdrejt, institucionet qendrore dhe lokale, organizatat ndërkombëtare dhe qytetarët tanë anë e mbanë, të cilët me pjesëmarrjen e tyre bënë të mundur përmbylljen me sukses të këtij procesi,” u shpreh Kurti.
Ai vlerësoi se regjistrimi ka ndjekur standardet më të larta ndërkombëtare, duke përfshirë ato të Eurostat-it dhe Kombeve të Bashkuara.
“Kjo na e forcon pozitën tonë në arenën ndërkombëtare,” deklaroi kryeministri, duke theksuar rëndësinë e të dhënave të grumbulluara për harmonizimin me statistikat e vendeve të tjera.
Sipas Kurtit, të dhënat e regjistrimit janë jo vetëm pasqyra e realitetit aktual, por edhe një busull që do të udhëheqë zhvillimin e vendit në të ardhmen.
“Ato na mundësojnë të veprojmë mbi bazën e evidencave dhe fakteve, duke na treguar si një partner i besueshëm në bashkëpunimin rajonal dhe global,” tha ai.
Regjistrimi i Popullsisë 2024 përbën një hap të rëndësishëm për Kosovën në avancimin e politikave të bazuara në të dhëna dhe përfshirjen aktive në rrjetet ndërkombëtare statistikore.


