Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka paralajmëruar se do të intensifikojë shkyçjet, pasi sipas tyre borxhi ndaj kësaj kompanie ka arritur në 45 milionë euro.
Në një njoftim për media të kompanisë thuhet se të mërkurën do të realizohen dy shkyçje “të mëdha”.
Tutje theksohet se arsyet e këtyre dy shkyçjeve do të bëhen të ditura të mërkurën.
“KRU ‘Prishtina’ SH.A. nga dita e nesërme do të intensifikojë shkyçjet nga shërbimet e ujësjellësit në të gjitha kategoritë e konsumatorëve, për shkak të mospagesave për shërbimet e ujësjellësit kur dihet tashmë që borxhet ndaj shërbimeve të ujit janë mbi 45 milionë euro. Por jo vetëm, ngase nesër do i realizojmë dy shkyçje të mëdha, për arsye të tjera, për të cilat do njoftoheni gjatë ditës së nesërme”, thuhet në njoftim.
Në njoftim ata kanë ftuar mediat që ta përcjellin aksionin e shkyçjeve, i cili thuhet se mund të realizohet me mjete të rënda, me bager.
“Për shkak që mund të hasim në rezistencë për arsye se janë me ndjeshmëri më të madhe dhe më specifike, kemi ftuar edhe Policinë e Kosovës të asistojë në këtë proces jo të dëshirueshëm për ne, por kjo do bëhet pas shumë vërejtjeve tona që u kemi adresuar dy konsumatorëve të mëdhenj”, thuhet në njoftim.


