Avokati i Popullit ka reaguar pas përkeqësimit të situatës me menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Prishtinës, duke e vlerësuar këtë gjendje si rrezik real për shëndetin publik dhe sigurinë e qytetarëve.
Në përpjekje për të kuptuar më mirë problemin dhe ndikimin e tij në të drejtat e qytetarëve, Avokati i Popullit kishte ftuar në një takim Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe menaxhmentin e kompanisë “Pastrimi”.
Qëllimi i takimit ishte dëgjimi i të dyja palëve dhe shqyrtimi i pasojave që kjo krizë ka për mbi 800 punëtorë të kompanisë dhe gjithë banorët e kryeqytetit.
Megjithatë, përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës kanë njoftuar në minutat e fundit se nuk do të marrin pjesë në takim, duke ofruar arsye të cilat, sipas Avokatit të Popullit, nuk qëndrojnë dhe përbëjnë një mungesë respekti ndaj këtij institucioni kushtetues. Sipas tij, ky qëndrim i komunës është tregues i papërgjegjësisë ndaj interesave të qytetarëve dhe krizës serioze që po përshkallëzohet në qytet.
Në takim mori pjesë vetëm kryeshefi ekzekutiv i KRM “Pastrimi”, z. Petrit Reçica, i cili prezantoi dokumente dhe prova që dëshmojnë se ekziston një rregullore e miratuar nga Kuvendi Komunal, por që, sipas tij, nuk po zbatohet nga komuna. Moszbatimi i kësaj rregulloreje, sipas Reçicës, ka çuar kompaninë në prag të falimentimit dhe ka vënë në pikëpyetje pagat, furnizimin me karburant dhe operimin e rregullt të shërbimeve të pastrimit.
Avokati i Popullit ka theksuar se, për momentin, nuk do të dalë me ndonjë qëndrim përfundimtar pa dëgjuar edhe palën tjetër – Komunën e Prishtinës – por e ka konsideruar të pashmangshëm dëmin që po u shkaktohet qytetarëve dhe punëtorëve, përfshirë rrezikun e përhapjes së ndonjë epidemie për shkak të grumbullimit të mbeturinave.
Ai rikujton se Komuna e Prishtinës ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të siguruar shërbime publike të rregullta dhe cilësore, dhe ka obligim të gjejë një zgjidhje urgjente për situatën e krijuar.
“Në ditët në vijim, Avokati i Popullit do të bëjë përpjekje të reja për të realizuar një takim me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, me qëllim të sqarimit të kësaj situate dhe ndërmarrjes së rolit të ndërmjetësuesit për zgjidhjen e këtij problemi,” thuhet në njoftimin e këtij institucioni.