Ministri në detyrë i MAPL-së, Elbert Krasniqi ka kërkuar nga komunat e Kosovës që të shpallin muaji prill si muaji falas për regjistrimin e komuniteteve në Kosovë.
Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se në këtë mënyrë komunat krijojnë lehtësira dhe informacione të plota dhe të nevojshme për regjistrim të mëvonshëm të komuniteteve.
“Me qëllim të gjithëpërfshirjës, përfaqësimit dhe qasjes së barabartë në shërbimet dhe burimet komunale, ngjajshëm si vitin e kaluar edhe sot kam marrë vendim për regjistrim falas për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Kam kërkuar nga Komunat që të shpallin muajin Prill si muaj falas per regjistrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, duke krijuar lehtësira dhe informacione të plota dhe të nevojshme për regjistrim të mëvonshëm të komuniteteve”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje ka thënë se regjistrimi falas i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian demonstron përkushtimin tonë ndaj përfshirjes, duke siguruar që të gjithë anëtarët e shoqërisë të njihen dhe të kenë qasje në shërbimet komunale.
“Duke hequr dorë nga tarifat e regjistrimit, komunat eliminojnë barrierat financiare që mund t’i pengojnë komunitetet e margjinalizuara. Kjo qasje jo vetëm që njeh vlerën e tyre të qenësishme, por gjithashtu afirmon të drejtën e tyre për trajtim dhe mundësi të barabartë”, thuhet ndër të tjera në postim