Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë publike raportet e paaudituara financiare të partive politike për vitin 2023.
Në njoftimin zyrtar, KQZ-ja ka bërë të ditur se raportet janë të paaudituara dhe se mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit nga auditorë të jashtëm.
Në bazë të të dhënave të publikuara, Lëvizja Vetëvendosje (VV) për vitin 2023 ka arritur të hyra prej 2,098,592 euro.
Ndërkohë, shpenzimet e tyre kanë qenë 1,381,285 euro.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë shënuar të hyra prej 723,169 euro dhe 808,983 euro në vitin 2023.
Shpenzimet e tyre janë raportuar në 431,824 euro dhe 715,986 euro.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shfaqet në raport me të hyra prej 280,000 euro dhe shpenzime prej 268,016 euro gjatë të njëjtit vit.
Pas përfundimit të procesit të auditimit, raportet e audituara do të publikohen në faqen zyrtare të KQZ-së për transparencë të plotë.
Të gjitha raportet e paaudituara financiare të partive politike për vitin 2023 janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së: https://kqz-ks.org/sherbime-per-subjektet-politike/raportet-vjetore-financiare-te-audituara