Reformat institucionale të Republikës së Kosovës në fushën e parandalimit të korrupsionit janë vlerësuar edhe ndërkombëtarisht gjatë një punëtorie të nivelit të lartë të organizuar nga Këshilli i Evropës në Strasburg. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), ka prezantuar qasjen dhe përvojën e saj në hartëzimin e rreziqeve të korrupsionit, duke theksuar rëndësinë e këtyre reformave për forcimin e integritetit dhe transparencës në institucionet publike.
Në punëtorinë ndërkombëtare me temën “Hartimi i rreziqeve të korrupsionit: Mësime të nxjerra dhe mundësi aplikimi”, përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa dhe Afrika e Veriut u mblodhën për të diskutuar strategjitë më efektive në identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve të korrupsionit.
Në emër të Republikës së Kosovës, Drejtori i APK-së, z. Yll Buleshkaj, ndau përvojën e Agjencisë në realizimin e një procesi gjithëpërfshirës të vlerësimit të rreziqeve të korrupsionit. Ky proces ka përfshirë 159 institucione publike, përfshirë 115 institucione shtetërore dhe 44 ndërmarrje publike.
“Korrupsioni nuk është vetëm çështje ligjore – është sfidë e kulturës institucionale. Ndryshimi fillon me diagnostikim të saktë dhe vullnet për të vepruar aty ku rreziku është real”, deklaroi z. Buleshkaj gjatë fjalës së tij para përfaqësuesve në këtë punëtori.
Ai theksoi rëndësinë e vullnetit politik në të gjitha nivelet, formalizimit të përgjegjësive, përfshirjes së hershme të institucioneve të targetuara dhe ruajtjes së komunikimit të vazhdueshëm gjatë procesit të vlerësimit. Z. Buleshkaj gjithashtu ngriti shqetësime për sfidat aktuale, si mungesa e një baze të dhënash të konsoliduar që i bëjnë vlerësimet kundër korrupsionit më të vështira.
Për më tepër, Buleshkaj theksoi rëndësinë që teknologjia – përmes analizës së të dhënave, inteligjencës artificiale dhe mjeteve digjitale, në të ardhmen të vihet në shërbim të detektimit dhe parandalimit të korrupsionit në mënyrë më efektive.
Gjatë punëtorisë në Strasburg, detajet e përvojës, sfidave dhe mundësive që kanë shoqëruar zbatimin e procesit të hartëzimit të korrupsionit nëpër institucionet e Kosovës, janë prezantuar nga z. Blerim Kelmendi, Drejtor i Departamentit në APK.
Ndërsa në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë edhe të gjithë anëtarët e Agjencisë që kanë zbatuar këtë proces në Kosovë, duke përfaqësuar një qasje kolektive dhe teknike të mirëkoordinuar.
Punëtoria u organizua nga Këshilli i Evropës dhe Projekti i përbashkët i BE-së dhe Këshillit të Evropës kundër krimit ekonomik në Kosovë (PECK III), si pjesë e Platformës horizontale për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë format jo vetëm që e rikonfirmon angazhimin e saj për reforma të thella në fushën e integritetit dhe sundimit të ligjit, por gjithashtu e paraqet vendin tonë si një shembull pozitiv në nivel Evropian dhe më gjerë.


