Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog kanë nënshkruar marrëveshjen financiare për programin vjetor IPA 2023.
Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë këtë të premte, ndërsa Besnik Bislimi ka thënë se Kosova do të përfitojë 75 milionë euro dhe se këto fonde do të dedikohen në fushën e energjisë.
“IPA 2023 në plotni i është dedikuar financimit në fushën e energjisë. Ky program përbën një hap të rëndësishëm të rrugës sonë drejt integrimit evropian dhe përkushtimin tonë ndaj vlerave të BE-së. Nga ky program Kosova përfiton fonde në vlerë prej 75 milionë eurove. Këto mjete do të ndihmojnë në adresimin e ndikimit të krizës energjike që Kosova po i përjeto. Marrëveshja hyn në fuqi sot dhe menjëherë do të bëjmë kërkesë për disbursim të 90% të fondeve të parapara me këtë marrëveshje, pra për 67.5 milionë euro që pritet të disbursogen shumë shpejt në buxhetin e shtetit, kurse pjesa tjetër 7.5 milionë eurove do të disbursohet vitin e ardhshëm”.
Sa i përket një vjetorit të luftës në Ukrainë, Bislimi ka shprehur nderime për të rënët dhe ka thënë se Kosova e njeh dhimbjen e Ukrainës pasi ka kaluar vetë nëpër një histori të tillë.
“Bëhen 1 vit nga fillimi i agresionit të paprovuar të Rusisë në Ukrainë. E shoh të rëndësishme të kujtojmë viktimat e kësaj lufte. Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën, por Kosova e njeh mirë dhimbjen dhe plagën e Ukrainës sepse me një mizori të ngjashme jemi përballur edhe ne në historinë tonë jo fort larg”.