Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes të shtuar pasi reshjet e vazhdueshme po vështirësojnë situatën në terren.
Në një njoftim në Facebook të shtunën, Komuna ka thënë se të gjitha ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht për pastrimin e rrugëve, por reshjet e vazhdueshme po vështirësojnë punën.
“Të gjitha ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht dhe po punojnë pa ndërprerje për të siguruar që rrugët të jenë të kalueshme! Megjithatë, reshjet e dendura të borës që po vazhdojnë pa ndërprerje po e vështirësojnë situatën në terren. Lusim qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të përdorin mjetet e përshtatshme për kushtet atmosferike dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve kompetente”, thuhet në njoftimin e tyre.