Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për paraburgim ndaj të pandehurve M.T. dhe I.L., të cilët dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, një personi i kanë siguruar për vajzën e tij një certifikatë të gjuhës gjermane, kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, e cila pas verifikimit nga Ambasada përkatëse ka rezultuar e falsifikuar, çka me këtë të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material.
Ndërsa, personi me inicialet I.L., dyshohet se në mars të vitit 2021, në Graçanicë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshëm ka përpiluar dokumentin e falsifikuar, respektivisht një certifikatë të gjuhës gjermane, kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, ku me këtë veprim dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Ani se në njoftimin për arrestim, dje, u tha se njëri prej tyre është avokat, Oda e Avokatëve të Kosovës ka thënë se i pandehuri nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është i regjistruar në regjistrin e avokatëve të OAK-së.
Ndërkohë, po ashtu, pas veprimeve të mëtejme hetimore është vërtetuar se i njëjti ka një zyre ligjore në Graçanicë, përmes së cilës ofron shërbime ligjore.


