Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka reaguar pas kërkesës për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind, duke theksuar se vendimmarrja për tarifat është kompetencë ekskluzive e saj dhe se asnjë institucion tjetër nuk ka mandat për të ndërhyrë në këtë proces.
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), në përputhje me mandatin e saj ligjor, ndjen nevojën të sqarojë publikun dhe të ruajë korrektësinë e informacionit që shpërndahet lidhur me proceset rregullative dhe vendimmarrjen për tarifat e energjisë elektrike, pas deklaratave të dala në media nga takimi me deputetët e LDK-së,” thuhet në komunikatë.
ZRrE rikujton se është institucion i pavarur me detyrë për të rregulluar, mbikëqyrur dhe monitoruar sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës.
Një nga funksionet e saj themelore është shqyrtimi dhe miratimi i tarifave, bazuar në Metodologjinë tarifore dhe parimet ligjore si transparenca, drejtësia, jo-diskriminimi dhe qëndrueshmëria financiare e sistemit energjetik.
“Deklarimet se ‘vetëm qeveria mund ta shtyjë vendimin për shtrenjtimin e rrymës’ janë të pasakta dhe nuk qëndrojnë në përputhje me kornizën ligjore që rregullon sektorin e energjisë. Vendimet për tarifat janë kompetencë ekskluzive e ZRrE-së dhe asnjë institucion tjetër nuk ka mandat ligjor për t’i anuluar apo shtyrë ato,” theksohet në reagim.
ZRrE sqaron se Qeveria mund të ndikojë vetëm përmes subvencioneve direkte te konsumatorët, por kjo nuk përbën vendimmarrje rregullative.
Sipas ligjit, vendimet e ZRrE-së nuk mund të kontestohen nga ndonjë institucion publik, përveçse përmes rrugës gjyqësore në gjykatën kompetente të Kosovës, sipas Ligjit për Konfliktet Administrative.
Në lidhje me kalimin e konsumatorëve komercialë në tregun e hapur të energjisë, ZRrE thekson se ky proces është pjesë e obligimeve për liberalizimin e tregut sipas direktivave evropiane, të inkorporuara në legjislacionin e Kosovës që nga viti 2016.
Aktualisht, pesë konsumatorë janë furnizuar përmes tregut të hapur, ndërsa procesi ishte shtyrë më herët për shkak të pasigurive të krijuara nga pandemia dhe kriza energjetike.
“Tani janë plotësuar kushtet e nevojshme për të mundësuar kalimin në treg të hapur për ata konsumatorë që përmbushin kriteret, duke u dhënë mundësinë të përfitojnë nga konkurrenca,” thuhet në komunikatë.