Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, më 26 shtator, ka marrë vendim për t’ia vazhduar masën e paraburgimit Kadri Veselit, i cili po akuzohet për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
Ai ka konkluduar se vazhdon të ekzistojë rreziku që Veseli të arratiset, pengojë procedurat e të kryejë krime të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi” të martën.
“Gjyqtari i procedurës paraprake arrin në përfundimin se rreziqet që z. Veseli do të arratiset, do të pengojë progresin e procedurave të DhSK, ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ ose do të paraqiten në DhSK, vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet në vendim.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krime e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin, Betimi për Drejtësi.
Për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.


