Bordi i RTK-së, në mbledhjen e sotme të tij, ka shqyrtuar pikën e rendit të ditës mbi votimin për hapjen e zarfeve për konkursin e drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.
“Gjatë diskutimeve, zyrtari ligjor ka sqaruar të gjithë bazën ligjore për të trajtuar këtë proces më tej, duke theksuar se tejkalimi i afatit paraqet bazë për anulimin e konkursit, kjo për të mos cenuar ndonjë të drejtë të aplikuesve ose procesin e rregullt të konkursit”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast, anëtarët e Bordit, me shumicë votash, kanë votuar kundër hapjes së zarfeve pas kalimit të afatit të përcaktuar, duke anuluar kështu procesin e konkursit për drejtor të përgjithshëm.
Bordi i RTK-së konfirmoi edhe dorëheqjen e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Adi Krasta.
“Në këtë mbledhje, gjithashtu, kryetarja njoftoi anëtarët e Bordit se ka pranuar zyrtarisht letrën e dorëheqjes së pakthyeshme të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, Adi Krasta, dhe shprehu falënderimet e sinqerta për punën dhe kontributin e tij të vlefshëm në Radio Televizionin e Kosovës. Në veçanti, Bordi e vlerëson përkushtimin e z. Krasta në organizimin dhe zhvillimin e Festivalit të Këngës në RTK. Bordi i uron z. Krasta suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij profesional dhe angazhimet e tjera”, thuhet në njoftim.


