Ish-kryesindikalisti i RTK-së, Fadil Hoxha, i cili aktualisht mban pozitën e këshilltarit të ud.drejtorit gjeneral të RTK-së, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, i është drejtuar nënkryetares së LDK-së, znj Hkmete Bajrami me disa pyetje, siç ka thënë me gjuhën e fakteve.
Ai e ka pyetur zonjën Bajrami se a e di ajo kush është drejtoreshë e Burimeve Njerëzore dhe Administratës në RTK; kush është drejtori financiar i RTK-së dhe kur është zgjedhur?
Sipas Hoxhës, i gjithë dokumentacioni kontraktual dhe financiar në RTK aktualisht gjendet në duart e familjarëve të lidhur me LDK-në. Ai e ka pyetur zonjën Bajrami a e di se në të kaluarën RTK është drejtuar nga një person i zgjedhur në mënyrë të paligjshme, siç ka konstatuar edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.
“A e dini që në të kaluarën në lajmet e RTK-së janë publikuar dokumente shëndetësore të qytetarëve, gjë për të cilën RTK është gjobitur me mijëra euro nga KPM, dhe aktualisht përballet me rrezikun e humbjes së mijëra eurove të tjera nëpër gjykata?
Po e pranojmë: redaktorja përgjegjëse për këtë skandal ende vazhdon të jetë pjesë e redaksisë së lajmeve në RTK.
A e dini që në të kaluarën, në programet e RTK-së janë angazhuar moderatorë ndaj të cilëve Prokuroria ka ngritur aktakuza për mashtrim të mijëra qytetarëve? Kjo nuk ndodh më.
A e dini që në listat e aktorëve të serialeve, RTK ka pasur në pagesë gra të pushtetarëve, të cilat as që e kanë ditur pse u del një pagesë mujore në llogarinë bankare? Edhe kjo nuk ndodh më.
“Zonja Bajrami, ju nuk jeni dëgjuar asnjëherë të ngritni zërin kundër këtyre parregullsive e mos të flasim për bojkotim të RTK-së.
Po, është e vërtetë që RTK sot është në një gjendje të rëndë financiare dhe me kushte të vështira pune. Për këtë gjendje, përgjegjës janë të gjitha pushtetet që me vite të tëra nuk kanë bërë përpjekje serioze për ta rregulluar ligjërisht funksionimin e saj.
Keni vepruar drejt që e keni ndërprerë bojkotin ndaj RTK-së. Tani është koha që ta ngritni zërin për t’i dhënë RTK-së një status të qartë ligjor – me pronë të vetën dhe me një sistem të qëndrueshëm dhe të pavarur financimi.
Vetëm në këtë mënyrë, RTK mund t’i shërbejë nē mënyrë të plotë publikut dhe të mbetet larg ndikimit të pushtetit”, ka thënë Hoxha.