Rritja e çmimeve për gazin, ushqimin dhe qiranë ka bërë që inflacioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të arrijë në kulmin më të lartë në katër dekada për muajin qershor. Inflacioni ka të ngjarë të rrisë normat e interesit nga Rezerva Federale, me kosto më të larta të huamarrjes, shkruan AP.
Çmimet e konsumit u rritën me 9.1% krahasuar me një vit më parë, ka thënë qeveria amerikane të mërkurën, rritja më e madhe vjetore që nga viti 1981 dhe nga një rritje prej 8.6% në maj.
Në baza mujore, çmimet u rritën me 1.3% nga maji në qershor, një tjetër rritje e konsiderueshme, pasi çmimet ishin rritur me 1% nga prilli në maj.
Rritjet e vazhdueshme të çmimeve nënvizojnë ndikimin e rëndë që ka shkaktuar inflacioni në shumë familje, ku kostot e nevojave, veçanërisht, rriten shumë më shpejt se të ardhurat mesatare. Amerikanët me të ardhura të ulëta dhe amerikanët me ngjyrë dhe hispanikë janë goditur më së shumti, sepse një pjesë disproporcionale e të ardhurave të tyre shkon drejt gjërave thelbësore si strehimi, transporti dhe ushqimi.
Disa ekonomistë mendojnë se inflacioni mund të jetë duke arritur ose është afër një kulmi afatshkurtër, pasi çmimet e produkteve bazike kanë filluar rënien.
Megjithatë, rritja e kostos së jetës ka bërë që besimi në administratën e Joe Bidenit të bie. 40 për qind e të rriturve thanë në një sondazh të AP-së në qershor se ata mendonin se trajtimi i inflacionit duhet të ishte prioritet kryesor i qeverisë këtë vit.
Pothuajse të gjitha vendet në botë janë prekur nga inflacioni i madh, kryesisht për shkak të luftës në Ukrainë dhe pandemisë COVID-19.