Ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës në vitet e kaluara ishte dëmtuar jashtëzakonisht shumë përmes kontratave të dëmshme, siç ishte ajo me kompaninë “Dardafon.net”, kontratë kjo që Telekomit i shkaktoi dëme në shifra marramendëse, të cilat maten me qindra miliona euro. Pastaj, kontrata me kompaninë “”PayKos” LLC” , ku anekset e kësaj kontrate, atipike e të pashembullta, gjithashtu, i sollën dëme milionëshe Telekomit. Këto kontrata të dëmshme dhe zhvatje të tjera me mbipunësime, “marketing” me portale e mosinvestim në teknologji, e patën sjellë këtë ndërmarrje publike buzë falimentimit.
KosovaNews ka bërë një hulumtim të detajuar të kontratës së Telekomit me kompaninë “3P” shpk, të lidhur në dhjetor të 2017, kontratë kjo që filloi së zbatuari në fillim të shtatorit të vitit 2018.
Kjo kontratë në mes të gjigantit publik dhe një SHPK-je të sapothemeluar ishte lidhur për një periudhë 5-vjeçare: (shtator 2018-shtator 2023), ndërsa objekt i kontratës ishte shitja e kredisë së parapaguar të Vala në formë kredie nga ana e “3P” shpk. Kjo shitje bëhej me anë të një aplikacioni, që 3P e kishte zhvilluar për këtë qëllim me moton: “Pret Për Pare”. Klientit të “Vala” shuma e “marrë kredi” nga shërbimi i 3P i zbatohej në mbushjen e radhës. Kurse, 3P përfitonte nga secila rimbushje e shitur në vlerë prej 10% të vlerës së shitur me huazim.

Gjëja më “interesante” në këtë kontratë ishte kushtëzimi që i bëhej privatizuesit eventual të Telekomit, i impohohej ta blente edhe kompaninë “3P” shpk. Si duket, aktorët përreth kësaj afere asisoj i kishin bërë planet…
KosovaNews ka dërguar pyetje në Telekomin e Kosovës për të kuptuar detaje të kësaj kontrate, aspektet kontratuale, shifrat që lidhen me zbatimin e saj, etj.
Në një përgjigjie zyrtare, zëdhënësi i Telekomi të Kosovës, z. Fadil Lepaja, ka thënë se nga kjo kontratë kompania “3P” shpk ka përfituar shumën prej 250 mijë eurosh.
“Për këtë shërbim “3P” shpk i ka faturuar Telekomit 10% të vlerës së shfrytëzuar nga klientët. Në periudhën shtator 2018 – shtator 2023 vlera që u është mundësuar klientëve të futen në borxh pa pasur kredi është rreth 2.5 milionë euro, ndërsa shuma e provizionit që “3P” shpk i ka faturuar Telekomit është rreth 250 mijë euro”, ka thënë Lepaja.
Cila është kompania “3P” shpk, a ka lidhje “3P” shpk me “”PayKosLLC”, kjo e fundit që i zhvati Telekomit të Kosovës dhjetëra miliona euro. Për kontratën me “PayKos” LLC tashmë Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 4 maj 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, për veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Mustafa dëmtoi Telekomin 6.7 milionë euro, i njëjti e ka nënshkruar kontratën edhe me “3P” shpk.
Historia
Mbështetur mbi ligjin për qasje në dokumentet publike, KosovaNews ka kërkuar nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) dosjen e kompanisë 3P sh.p.k.
Nga dokumentet që kemi pranuar nga ARBK shihet se edhe kjo kompani disa herë e ka ndërruar strukturën pronësore dhe në fund të vitit 2021 ka përfunduar te një person, i cili sipas hulumtimit tonë del të jetë njeri i afërt me kompaninë “”PayKos” LLC”.

Kompanija 3P sh.p.k. është inkorporuar e regjistruar në shtator të vitit 2015, me adresë: Dardania B5/4, Prishtinë. Themeluesit dhe pronarët e parë të “3P” shpk ishin: z. Kastriot Gjergji, z. Fisnik Sopi e z. Besar Dinarama, me ndarje të aksioneve: 50%, 25.5% e 24.5%, përkatësisht.
Përveç në “3P” shpk, sipas faqes së internetit “Bizneset e Hapura”, Kastriot Gjergji është aksionar edhe në: PRIAK shpk dhe EU REC LLC; Besar Dinarama, nuk ka aksione në kompani të tjera, burimet tona mësojnë se edhe në atë kohë edhe sot vazhdon të ketë angazhim në institucione dhe ka përvojë në gastronomi.
Fisnik Sopi ka aksione në këto kompani: Studio Grafike “Extra Design”, LUCKY DICES, AD BOX, CHESS ËIN, FANS GLASSES, RESINSTICKERS, BINAKI PRINT GROUP, Print Creative Zone, kompani këto në fushën e dizajnit grafik, shërbimeve të marketingut, shitjeve online, e edhe të basteve.
Më 31 janar 2019, në ARBK regjistrohet struktura e re pronësore e kësaj kompanije. Me një vendim për ndërrim të statutit, të datës 15 janar 2019, tre pronarët e kompanisë “3P” shpk ja kalojnë 10% të aksioneve z. Bekim Osmani. Me këto ndryshime, struktura e re pronësore dukej kësisoj: Kastriot Gjergji, Fisnik Sopi, Besar Dinarama e Bekim Osmani, me 46.6%, 22.2%, 21.2% e 10% të aksioneve, përkatësisht.

Sipas burimeve tona, z. Bekim Osmani është njëri nga vëllezërit gjakovarë të njohur si “Felixat”. Nga redaksia e KosovaNews kemi provuar të kontaktojmë me z. Osmani, por nuk kemi arritur. Sipas “Bizneset e Hapura”, z. Osmani i ka të regjistruara në Kosovë edhe dy kompani: Zara Fashion SH.P.K., në partneritet me Florin e Albert Krasniqin, për shitje të veshjeve dhe ProBet SH.P.K., në partneritet me Valon Konjushën, kompani kjo e regjistruar për veprimtari të basteve.
Më 12 dhjetor 2019, z. Osmani largohet, duke mbetur struktura e njejtë si në fillim. Pastaj, më 2 tetor 2020, në strukturën pronësore futet z. Dardan Gjonbalaj, duke i bërë pronarë me nga 25% secilin nga katër aksionarët.
Më 29 tetor 2021 të katër këta aksionarë të “3P” shpk ia shesin aksionet z. Arbër Jasharit, nga Banulla e Lipjanit. Prej atëherë vetëm z. Jashari është pronarë i vetëm i kësaj kompanije. Në fund të shtatorit të 2023-tës kontrata pesëvjeçare e kësaj kompanije me Telekomin ka mbaruar.

Në rrjetet sociale ka postime në të cilat shihet se “3P” shpk ka përfituar nga grante të ndryshme të dhëna nga trupa të ndryshëm, vendorë e ndërkombëtarë.


Padyshim që kontrata mes Telekomit dhe kompanisë “3P” shpk nuk do të ishte e mundur pa lidhjet e pronarëve të kompanisë me politikën dhe grupet e interesit.
Aksionari i dikurshëm Fisnik Sopi vazhdon të jetë përkrahës i hapur i LDK-së sikur atëherë po ashtu edhe në ditët e sotme.

Kontrata e çuditshme e 3P me Telekomin Kosovës obligonte palën që e privatizon Telekomin ta blente edhe “3P” shpk
Nga një burim i KosovaNews brenda Telekomit, thuhet se në këtë kontratë, e cila është lidhur si rezultat i një thirrjeje publike për partneritet, për Telekomin e ka nënshkruar Agron Mustafa, i njejti që e kishte nënshkruar kontratën në mes të Telekomit dhe “PayKos” LLC. Kurse, për “3P” shpk, këtë kontratë e pat nënshkruar z. Kastritot Gjergji. Është interesante të ceket se në nenin 12 të kësaj kontrate qëndron kjo klauzolë:
- ….
- Ne rast te privatizimit te Telekomit, kjo kontrate do të mbetet e vlefshme në tërësineëe saj, edhe pse aksionarët e Telekomit mund të ndryshohen.
- Telekomi do t’i ofroj ë3P mundësinë që të hyjë në negociata me blerësin e Telekomit, që këtij të fundit t’i ofrohet për blerje edhe 3P.
Kujtojmë këtu se në periudhën 2017-2018 pushteti i asaj kohe e pati bërë një tentim të privatizimit të Telekomit tek disa kompani fantome, proces ky që pati dështuar qysh në fillim, për shkak të reagimit sindikal të punëtorëve dhe opozitës të asaj kohe. Si duket, ata kishin lënë një “vegëz” edhe për këta “dostat”…
Pronari i ri i “3P” shpk dhe lidhjet e tij me “PayKos” LLC
Më 29 tetor 2021, në ARBK regjistrohet një ndryshim i pronësisë tek kompanija “3P” shpk. Të katër aksionarët ia kalojnë (me falje) aksionet z. Arbër Jasharit nga Banulla e Lipjanit.
Z. Jashari, referuar rrjeteve sociale dhe kërkimit në “Bizneset e Hapura”, del se është pronar edhe i dy bizneseve të tjera: Te Arbëri O.P. (Hotel “Te Arbëri”, Lipjan) dhe kompanisë “Bulletpoint” L.L.C.

Sipas burimeve të KosovaNews, Arbër Jashari punon tek disa organizata gjermane, një kohë ka qenë i paguar nga “3P” shpk, dhe se ka lidhje familjare me z. Armend Zeqirajn, pronarin e “PayKos” LLC (vetëm në “letra”, sepse Armend Zeqiraj, referuar artikujve tanë të mëhershëm të KosovaNews, është vetëm proxyman i Maliqëve të Shkupit).
KosovaNews, pëmes adresave zyrtare dhe numrave të telefonit të paraqitur në ARBK, ka provuar t’i kontaktojë ish-pronarët e kompanisë “3P” shpk, por edhe pronarin e tanishëm, Arbër Jasharin, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje as në mesazhet e dërguara në viber e as përmes e-mailit, tash e më shumë se një muaj.
Pronari i ri i “3P” shpk, z. Arbër Jashari, nga Banulla e Lipjanit, ka lidhje familjare me pronarin (vetëm në letra) të “”PayKos” LLC” LLC, z. Armend Zeqirajn dhe disa fytyra të tjera publike.


Telekomi i Kosovës në fundin e shtatorit të vitit 2023 e ka përmbyllur marrëveshjen kontraktuale 5-vjeçare me kompaninë “3P” Sh.P.K.
Përmes kësaj kontrate, kompania “3P” Sh.P.K. përfitoi nga Telekomi hiç më pak se 250 mijë euro, përderisa krejt investimet e saj ishte vetëm ndërtimi i një aplikacioni për telefona të mençur, punë këto që fare lehtë mund t’i kryente Telekomi i Kosovës pa asnjë investim, me mundin e ekspertizën e profesionistëve që i ka të punësuar.
E sikur të mos i mjaftonte ky fitim i majmë nga Telekomi, kjo kompani po vazhdon t’i nxjerrë telashe Telekomit edhe përkundër që i ka skaduar kontrata. Kjo kompani, tash me pronar të ri, i cili ka lidhje me pronarin e “”PayKos” LLC”, e ka dërguar Telekomin në tribunalin e arbitrazhit në Oden Ekonomike të Kosovës. Ky proces është duke vazhduar.
Është interesante të theksohet se padia që i ka bërë Telekomit të Kosovës kompania “3P” shpk ka ndodhur pikërisht në kohën kur Telekomi i Kosovës e ka fituar arbitrazhin ndërkombëtar me “”PayKos” LLC” , e që lidhet me periudhën kur kompania “3P” shpk pat kaluar në pronësi të z. Arbër Jasharit (të afërmit të Armend Zeqirajt, pronarin e “”PayKos” LLC” ).
Sipas burimeve të KosovaNews brenda Telekomit, kompania “3P” shpk, paraprakisht, para se te padiste në arbitrazh, i është lajmëruar Telekomit që të gjejnë një rrugë me interes të dyanshëm për te vazhduar kontratën, duke sygjeruar që “3P” shpk të marrë në zbatim kontratën e “”PayKos” LLC” . Kurse për Telekomin të dy këto kontrata i ka nënshkruar Agron Mustafa, ndaj të cilit, tashmë rëndon aktakuza për dëmin milionësh që ia ka shkaktuar Telekomit.
Redaksia e KosovaNews u ka nisur disa herë pyetje dhe ka tentuar t’i kontaktojë personat e apostrofuar, por edhe pas disa muajsh nuk ka pranuar përgjigje nga të njëjtët.
Në hulumtimin ekskluziv të radhës do të mësoni për lidhet e “PayKos” LLC me ndërtimet në Gjakovë…