Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Faik Hoti u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të vaksinohet kundër COVID-19 dhe kundër gripit sezonal.
Derisa ka folur për aktivitetin “Karvani i vaksinimit” i cili është zhvilluar për promovimin e vaksinimit kundër gripit sezonal dhe COVID-19 në 28 komuna të Kosovës, Hoti ka thënë se është shumë e rëndësishme që qytetarët të marrin edhe dozat përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.
“Numri më i madh i të vaksinuarve ka qenë me dozën e parë dhe të dytë, ka pasur një numër të konsideruar të atyre që e kanë marr edhe dozën e tretë, që është quajtur në fillim dozë përforcuese, por ka qytetarë që marrin edhe dozën e katërt. Kur flasim për dozën përforcuese në si ministri u rekomandojmë qytetarëve që ta marrin tash këtë dozën bivalente, sepse doza që jepet tani është sikur të merret doza e tertë dhe e katërt së bashku, ka një efekt të mirë sidomos kundër varianteve që janë aktualisht në qarkullim në Evropë e në kinë e që nesër mund të jenë të pranishme edhe në vendin tonë”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka thënë se sipas MSH-së, më i rëndësishëm është vaksinimi kundër COVID-19 sesa ai kundër gripit sezonal.
“Ministria e Shëndetësisë, nëse kishim për tu pyetur se cilën vaksinë do të kishit dëshiruar që ta merrnin qytetarët më shumë, më siguri që kishim preferuar që qytetarët të marrin vaksinën kundër COVID-19, sepse në shtete të botës vazhdimisht po dalin variante të reja të Sars CoV-2 që janë problematike për shëndetin e qytetarëve. Mirëpo edhe vaksinimi kundër gripit sezonal është mjaft i rëndësishëm”, është shprehur në emisionin “Sot” të KTV-së, Hoti.
Karvani i vaksinimi ka qenë një aktivitet shtesë për vaksinimin kundër gripit sezonal dhe kundër COVID-19 me dozat përforcuese.
Ai është organizuar nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, në bashkëpunim me MSH-ën, Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe ekipet e vaksinimit nga qendrat kryesore të mjekësive familjare.