Gjatë ditës së sotme është bërë hapja e bankës së parë dhe një ndër më të rejat, në Mitrovicën Veriore, më saktësisht në sheshin “Car Llazar”.
Në përurimin e Bankës Ekonomike, morën pjesë drejtuesit e saj ku u pyetën nga gazetari i Kosovanews, Jeton Sopa lidhur me gjendjen e tyre të sigurisë në Mitrovicë, pas hapjes së bankës të vetme në atë pjesë.
Me këtë rast njëri nga drejtuesit e qendres së Bankës Ekonomike, për Kosovanews tha se janë ndjerë të sigurt me rastin e kesaj hapjeje dhe sipas tij banka e tyre do të ofrojë shërbime bankare për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.
“Ndihemi shumë mirë, situata është e qetë siç e shihni edhe ju, nuk ka ndonjë problem apo tendencëë. Ndjehem mirë, si në pjesën jugore ashtu edhe në veri. Nuk kemi pasur asnjë problem, ne ofrojmë shërbime financiare, bankare dhe e kemi parë si të nevojshme që ta ofrojmë këtë mundësi edhe për qytetarët e veriut, pa përjashtime, që të shërbehen me shërbimet tona bankare”, tha njëri nga drejtuesit e qendrës së Bankës Ekonomike.
Në anën tjetër, vetëm gjatë këtij viti në veri përveç Bankës Ekonomike janë hapur edhe disa biznese të tjera vendore, të cilat si qëllim kanë lehtësimin e jetesës së qytetarëve që jetojnë në atë zonë.
Vlen të theksohet se në fillim të këtij viti, Banka Qendrore e Kosovës, si një nga institucionet e pavarura financiare, bazuar në Kushtëtutën e Kosovës e cila si valutë legale dhe zyrtare e njeh vetëm euron, mori vendim për ndalimin e operimit në institucionet financiare të Kosovës valuta të tjera, përfshirë këtu edhe dinarin.



