Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në “Konfront” të KTV-së ka folur për çështjen e rezervave shtetërore.
Hajdari e ka quajtur si “projektin më patriotik e strategjik” për popullatën e Kosovës.
“Pas arrestimeve, gjykata e Apelit dhe ajo Supreme ka konstatuar se nuk ka pasur të konsumuar vepër penale për t’u mbajtur në burg. Të vazhdojnë hetimet ditë e natë, jemi të hapur për të vazhduar çdo hetim. Unë edhe sot e them me përgjegjësi të plotë se është projekti më patriotik e strategjik për popullatën tonë që është siguruar popullara në rast të çrregullimit të tregut e situatave të jashtëzakonshme. Nuk dyshoj në asnjë zyrtar që është bërë një aferë e një keqpërdorimi dhe këtë e them sot e do ta them çdo ditë. Nuk dyshoj derisa vet unë isha në kohën kur u ble rezerva shtetërore. Më shumë nuk ndaj, pasi është ligj që cenon të flasë”, tha Hajdari.
Prokuroria Speciale më 18 gusht 2023, kishte zhvilluar një aksioni për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi.
Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë, Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.
Ministrja Rozeta Hajdari kishte thënë po atë ditë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.
Ndërkaq, më 31 gusht 2023, Muharremi dhe dy të zyrtarët shtetërorë ishin liruar nga paraburgimi. Muharremi dyshohet se iu ka ndihmuar dy zyrtarëve shtetërorë Gara, dhe Lipovica , që të shkelin ligjin kur kanë porositur blerjen e rezervave shtetërore.


