Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka thënë se dorëheqja do të thotë largim nga detyra, jo interpretim politik, siç sipas tij, po provohet ta bëjë pushteti.
Deputetët e legjislaturës së nëntë të martën nuk përkrahën raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve. Sipas partive që deri tash ishin në opozitë, kërkesë është që anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje duhet të japin dorëheqje nga postet qeveritare para se të bëhen deputetë. Kjo është kundërshtuar nga VV-ja që ka thënë se anëtarët e saj tashmë janë dorëhequr. Seanca konstituive dështoi gjatë ditës së sotme.
Gruda ka thënë se, përpara se të vihej në votim raporti, është kërkuar verifikimi nëse kryeministri dhe ministrat kanë dhënë dorëheqje, ashtu siç e kërkon ligji. Sipas tij, pas shqyrtimit të dokumentit të dorëzuar nga kryetari i Komisionit, që vjen nga VV-ka, është konstatuar se nuk bëhej fjalë për akt dorëheqjeje, por për një deklarim të mëhershëm të kryeministrit që Qeveria konsiderohet “në dorëheqje”. Ai ka shtuar se nuk mund ta votonin Raportin për shkak se ishte jokushtetues.
“Kur e lexova, ishte qëndrimi i njëjtë që ka mbajtur kryeministri që ditën e certifikimit – që nuk largohet nga detyra, por konsiderohet qeveri në dorëheqje. Unë i thashë kjo nuk është dorëheqje sipas nenit 26 të Ligjit për Qeverinë. Nuk mund ta konsideroj dorëheqje, nuk ishte e tillë”, deklaroi Gruda.
Ai theksoi se dorëheqja duhet të ndodhë në mënyrë individuale nga secili ministër dhe nga vetë kryeministri, dhe se një interpretim politik nuk mund të zëvendësojë aktin juridik të dorëheqjes.
“Dorëheqja në çdo kuptim në botë do të thotë që ai zyrtar më nuk shkon në zyrë”, përfundoi Gruda.