Rrogat bazë në sektorin publik në Kosovë do të ndryshojnë nga 5 shkurti, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për pagat, sipas të cilit vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro.
Shumica e shërbyesve publikë pritet t’i marrin pagat e ardhshme me rritje.

Grafika e punuar nga REL
Zyrtarët, të cilët para hyrjes në fuqi të ligjit të ri për pagat përfitonin pagë më të madhe, do të marrin një shtesë të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë gjatë vitit të parë.
Gjatë vitit të dytë, shtesa do të jetë në vlerën e 50-përqindëshit të diferencës mes pagave.
Ndërkaq më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një listë të rritjes së pagave për punonjësit në sektorët publikë, duke paraqitur shumën dhe përqindjen e rritjes.
Ai publikoi listat, ku shihet sa për qind kanë pasur rritje punëtorët shëndetësorë, të arsimit e zyrtarët policorë.
“Barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë, atë të mjekëve, arsimtarëve, policëve dhe ushtarakëve”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai tha se tani e tutje pagat do të lëvizin sipas rritjes, punës e rezultateve që të gjithë bashkë kanë në rritjen ekonomike të vendit.
“Tash e tutje nuk do të ketë më stagnim të pagave pafundësisht. Ato do të lëvizin sipas rritjes, punës dhe rezultateve që kemi të gjithë ne bashkë në rritjen ekonomike të vendit”, ka shtuar ai.







