Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me rastin e ndodhur gjatë ditës së djeshme në Mitrovicë të Veriut, ku sipas njoftimit, dy zyrtarë policorë janë goditur me veturë nga një i dyshuar që po ikte nga vendi i ngjarjes.
Sipas raportit 24-orësh të PK-së, rreth orës 12:30 njësia policore ka tentuar të ndalojë një veturë, mirëpo drejtuesi i veturës nuk është ndalur dhe gjatë ikëjes ka goditur dy zyrtarë policorë, si dhe veturën zyrtare të policisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“I dyshuari kosovar/s ka braktisur veturën dhe është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes. Zyrtarët policorë kanë pranuar trajtim mjekësor. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori. Po ashtu gjatë kontrollit në veturën e dyshuar është gjetur dhe sekuestruar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente”, thuhet në raport.


