Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e sigurisë kundër ish-prokurorit Ali Rexha, i cili kishte kërcënuar prokurorin Lulzim Sulejmanin.
Rexhës i ndalohet t’i ofrohet Prokurorit të Shtetit dhe vendit të tij të punës, shkruan KosovaNews.
“Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e sigurisë kundër të pandehurit A.R Prishtinë 21 korrik 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit A.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka vepruar sipas kërkesës për caktimin e masës Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar Prokurorit të Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thueht në njoftimin e Gjykatës
“Gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit dhe të pandehurit A.R i ka caktuar masën e sigurisë Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, në kohëzgjatje prej një muaji. Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”.
Kjo masë e sigurisë e vendosur ndaj ish-prokurorit Rexha, do të zgjasë një muaj duke filluar nga dita e sotme.
“Kjo masë, sipas këtij aktvendimi, do të zgjasë një (1) muaj, duke filluar nga data 21.07.2022, deri me datë 20.08.2022.”, thuhet me tej.
Kujtojmë se ish-prokurori special Ali Rexha u arrestua dje gjatë ditë pasi i njëjti kishte kërcënuar Prokurorin në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Lulzim Sulejmani.


