Gjenden dokumente të identitetit të terroristëve serbë dhe shuma të mëdha parash (FOTO)

Policia e Kosovës gjatë aksionit të sotëm në veri ka gjetur dokumente të indentitietit të terroristeve serbë dhe shuma të medha parash, raporton KosovaNews.

Ndër të tjerash, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se janë gjetur dokumente që dëshmojnë pjesëmarrjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, në sulmet e së dielës në veri, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Po ashtu, sot u ekspozua para opinionit arsenali i madh i armëve, uniformave dhe pajisjeve logjistike që Policia e Kosovës i konfiskoi në Banjskë të Zveçanit pas shpartallimit të grupit terrorist serb, duke i vrarë disa prej tyre, disa duke i plagosur dhe arrestuar, kurse disa kanë ikur dhe po trajtojnë plagët në Novi Pazar të Serbisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se sulmuesit i kanë lënë prapa automjetet e tyre të përdorura me qëllim të sulmeve terroriste ndaj Policisë së Kosovës.

“Personat tjerë të dyshuar, që bazuar në pamjet e siguruara mund të ishin rreth 30 persona, kanë arritur që të largoheshin në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës, duke lënë prapa automjetet e tyre, që gjatë ekzaminimit në vendin e ngjarjes rezulton të jenë 24 automjete, një mjet i blinduar si dhe dy motorë me katër rrota”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky është operacioni më i madh dhe më i rëndësishëm që nga paslufta për institucionin të cilin e drejton.

Hoxha ka treguar se gjatë këtij operacioni janë gjetur:

1 veturë e rëndë e blinduar

Vetura xhip – 24 copë,

Motorë 4×4 – 2 copë

Mina kundër këmbësorisë – 8 copë,

Zolla të mbushura – 29 copë

Zolla të përdorura – 7 copë

Predha minahedhësish

Eksploziv dinamit – 150 copë

Armë e gjatë mitraloz – 6 copë

Antiplumba – 21

Dronë – 3 copë

Dylbi nate – 15

Radiolidhje – 32 copë

Uniforma ushtarake – 115

Harta nga sateliti – 6 copë

Harta topografike – 3 copë

Maska – 23

Sopata – 8

Ushqime të shumta, medikamente mjekësore, telefona smart – 32 copë, sim kartela – 32 copë dhe kartëmonedha në euro prej dinarëve të Serbisë – 1800 kartëmonedha.