Nxënës nën përcjelljen e prindërve ia kanë mësyrë sot shkollës “Hasan Prishtina”, në kryeqytet, e cila dje më shumicë të votave më mësimdhënësve vendosi të ndërpresë grevën dhe të fillojë procesin mësimor.
Mësimi në këtë shkollë sot ka nisur nga orët e mëngjesit, ndërsa në mesditë për herë të parë janë ulur në bankat e shkollës edhe voglushët e klasës së parë.
Janë shtatë klasë të para të kësaj shkolle që nga sot do të fillojnë rrugëtimin e dijes, ndërsa mësimit i janë kthyer edhe gjithë klasët tjera.
Kjo është bërë e mundur pasi dje kolektivi i shkollës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë ka vendosur që të ndërpres grevën dhe të fillojnë procesin mësimor, raporton KosovaNews.
Këtë vendim e mori dje Këshilli i Arsimtarëve të shkollës pas një votimi të fshehtë që kanë zhvilluar.
“Ne si shkollë “Hasan Prishtina”, në mbledhjen e mbajtur nga Këshilli i Arsimtarëve, sot me 26 shtator 2022, me kolektivin e shkollës, u vendos që me votim të fshehtë ta ndryshojmë formën e grevës si vijon: Shkolla jonë vendosi që të ndërpritet greva e përgjithshme, dhe t’i kthemi mësimit në shkollë, por me orë të shkurtuara. Ora mësimore do të jetë 30 min, deri në arritjen e një zgjidhje të përgjithshme mes SBASHK-ut dhe Qeverisë”, thuhet në njoftimin e shkollës.
KosovaNews mëson se shumica e mësimdhënësve të kësaj shkolle janë pro nisjes së mësimit me orar të rregullt dhe kjo mund të bëhet ditëve të vazhdim.
Kujtojmë se pakënaqësitë me zgjatjen e grevës së organizuar nga SBAShK-ut vetëm sa po rriten. Deri sa një pjesë e shkollave pas votimeve të fshehta kanë vendosur të nisin procesin mësimor, në ato shkolla ku ende po mbahet greva, prindërit po organizojnë protesta.
E sot kundër grevës kanë protestuar edhe prindërit e fëmijëve nga shkolla “Naim Frashëri”. Po dje protestua prindër e nxënës edhe nga shkolla “Faik Konica”.
Për të filluar mësimin janë mbajtur edhe protesta në qytete tjera të Kosovës, ndërsa shkolla të ndryshe edhe kanë nisur individualisht procesin mësimor./KosovaNews/





