Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla-Schwarz takon ambasadorin e Malajzisë
Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, priti në takim ambasadorin jorezident të monarkisë kushtetuese parlamentare federale të Malajzisë, Dato Abdul Malik Melvin Castelino.
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
“Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz e njoftoi ambasadorin malajzian për orientimin euro-atlantik të Republikës së Kosovës dhe për pozicionimin e vendit në arenën ndërkombëtare”, u tha në komunikatën e ministrisë.
Ajo foli për fuqizimin e marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe monarkisë kushtetuese parlamentare federale të Malajzisë.
Ministrja tha se Malajzia është partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës në Azinë Juglindore si dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar edhe më tej miqësinë, partneritetin dhe bashkëpunimin me këtë shtet.
Amabasadori jorezident i monarkisë kushtetuese parlamentare federale të Malajzisë, Dato Abdul Malik Melvin Castelino, në takim theksoi se është i lumtur që po qëndron për vizitë në Republikën e Kosovës.
Ai shprehu gatishmërinë e Malajzisë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në diplomaci por edhe në shkëmbime tregtare me theks të veçantë në fushën e agrobiznesit.


