Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Bujar Gashi, ka thënë se në dy javët e fundit kanë rritje të numrit të pacientëve me simptoma të gripit sezonal.
Ai ka thënë se kjo e ka rritur numrit e pacientëve për 20 deri në 30 për qind.
Kjo sipas Gashit e ka sfiduar kujdesin parësor shëndetësor. Ai ka theksuar se numri i pacientëve që duhet të kontrollojë një mjek brenda orarit sipas standardeve mjekësore është duke u tejkaluar deri në trefish.
“Standardet sipas konceptit të mjekësisë familjare në kujdesin parësor tejkalohen edhe jashtë kohëve kur ka rritje të fluksit të vizitave, le të themi edhe në kushte normale tejkalohen, për shkak se një mjek brenda një orari nuk duhet të kalojë mbi 25 vizita mjekësore, e që te ne realisht pjesa me e madhe e mjekëve, që punojnë në qendrat kryesore të mjekëseve familjare në kryeqytet e tejkalojnë këtë e arrin në 50 e edhe 60 vizita brenda një orari”, është shprehur Gashi, duke shtuar se në dy javët e fundit kjo është bërë edhe më e rëndë.
Kjo sipas tij e shkurton kohën e kontrollin si dhe e mbingarkon edhe mjekun edhe infermierët.
“Deri në momentin që po flasim, sipas të dhënave të fundit, vetëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare kemi rreth 220 pacientë që janë kontrolluar nga tre mjekë, e që i bie se janë më shumë se 70 vizita për secilin brenda këtij orari e që kjo është e tepërt për një mjek”, ka deklaruar Gashi.
Sipas tij edhe tani vërehet mungesa e Spitalit të Prishtinës, pasi ai ka thënë se shumica e këtyre pacientëve do të duhej të trajtoheshin në kujdesin dytësor.
Gashi ka thënë se presin që pas regjistrimit të popullsisë presin që numri i punëtorëve shëndetësorë në Prishtinë të rritet.
“Që nga paslufta numri i punëtorëve shëndetësor në Prishtinë nuk është rritur, ai është 871, ne kemi staf rezident sipas regjistrimit të vitit 2011, që i bie se kemi staf të mjaftueshëm me 196 mijë banorë, por dihet botërisht se Prishtina ka rreth 300 mijë banorë, të cilët edhe mund të mos jenë rezidentë por shërbimet mjekësore i marrin në Prishtinë”, është shprehur Gashi ne ktv.
Ai ka folur edhe për gripin dhe simptomat e tij, duke thënë se ato janë të zakonshme si rrjedhje e hundëve, ngjizje e zërit, kollitje, temperaturë, dhimbje e muskujve e dhimbje e gjoksit.
Gashi ka thënë se nga ajo që kanë parë, kohëzgjatja e këtij gripi është më e gjatë sesa tek gripat e kaluar. “Zakonisht një virus apo një simptomë virozë zgjatë 7-10 ditë, e kjo po i tejkalon ato ku një numër i pacientëve po i arrijnë deri në tri javë me këto simptoma”, është shprehur Gashi.
Ai ka bërë thirrje për mospërdorim të antibiotikëve pa recetë të mjekut, pasi sipas tij kur ato nuk janë të nevojshme shkaktojnë vetëm dëm.