Policia e Kosovës ka hapur rast për thirrje për rezistencë, për fletushkat e shpërndara të hënën në veri të vendit me udhëzime se “s’i t’u kundërvihet policisë së Kosovës dhe administratës komunale”.
Fletushkat mbajnë mbishkrimin e organizatës së re “Mbrojtja popullore”.
Ato u bënë publike në mbrëmje, ndërsa siç ka thënë Policia në veri, dyshimet janë të jenë shpërndarë gjatë ditës, në protestën e pensionistëve në mesditën e së hënës. Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, ka konfirmuar hapjen e rastit.
Në fletushka udhëzohen serbët që t’i gjuajnë me gjësende policët e Kosovës, përfshirë edhe me kokteje molotovi. Po ashtu udhëzohen edhe si të goditen me shuplakë shërbyesit komunal.
Ndër udhëzimet në këto fletushka janë edhe si të thyhen veturat e policisë “më lehtë” e po ashtu edhe ka udhëzime se si “të bëhet kokteji i molotovit”.
“Kur policia arreston dhe ngacmon serbët siguroheni t’i mbroni ata kundër terrorit. Rezistenca nis tash Do të vazhdojë ‘Mbrojtja Popullore’”, shkruan në fletushkë.
Shpërndarjen e këtyre fletushkave e ka konfirmuar edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin.
“Informata nga terreni është që sonte ka dalë një organizatë e re ‘Mbrojtja Popullore’ të cilët kanë shpërndarë fletushka që të përgjigjen kundër policisë dhe kundër administratës komunale përmes koktejeve, gurëve dhe gjërave të tjera”, ka thënë ai.