Që prej vitit 2006 në opinionin kosovar, fillimisht brenda rretheve të informuara, e gjithnjë e më shumë në opinionin e gjerë , lakohet emri i Z-Mobile. Kjo pati marrë hov kur ky operator predator përmes një skenari të mirëmenduar e gjunjëzoj Telekomin publik të Kosovës me një dënim drastik nga gjykata e arbitrazhit prej më shumë se 30 milionë euro.
Jo pak njerëz e thonë se e gjithë kjo ka qenë një “inside work”, që prej fillimit, pra që nga viti 2006 në kohen kur edhe ishte “ideuar”.
Madje në vitin 2019 puna e këtij operatori qe hetuar nga një komision hetimor i Kuvendit të Kosovës. Në verën e 2020-ës ky operator pat arritur te përmbaroj Telekomin, duke i lënë pa rroga më se 2300 punonjës (sa kishte në atë kohë) dhe me operime të cunguara që e rrezikonin rendin publik. Ishte një vendim i Gjykatës Kushtetuese, në fund të 2021 që e ndaloj këtë katrahurë dhe e kthej lëndën në gjykatën e posa themeluar komerciale. Kushtetuesja kishte gjykuar se nuk është zbatuar e drejta për gjykim të drejtë dhe armë të barabarta.
Në kontrast me të kaluarën, kur mbrojtja e Telekomit ishte e vakët, angazhoheshin kompani anonime si “Studio Ligji” e opinionit i ishin të qarta “inside ëorks” të vet menaxhmentit të Telekomit. Që prej vitit 2020, në një betejë “dhëmbë për dhëmbë” në mes të Telekomit dhe Z-Mobile kanë ndodhur shumë ngjarje.
Në njërën anë:
-Suspendim e shkarkim të përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha, caktimi i përmbaruesit të ri – Irfan Kërçagu.
– Skandali me “letra të Serbisë” i “kushërinjve” të Z-Mobile – Klan Kosova
– ArtMotion e super-skandali me glorifikimin e terroristëve në progamet e “ArenaSport”
– Super-mashtrimi që ArtMotion (dhe tjerët që blinin programacion nga këta) që iu bëri qytetarëve të vendit tonë, duke ua hequr pjesën më atraktive të përmbajtjeve sportive, për të cilën ata kishin parpaguar kontrata vjetore
-Ministria e Industrisë,Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ju lejoi qytetarëve të ndërprejnë kontratat.
– Komisioni i Pavarur i Mediave mbajti mbledhje ku me një vendim si “aksham pazari” vendosi t’i rikthej ArenaSport-et për t’i shpëtuar këta mashtrues nga vendimi i MINT-it, e shumë e shumë ngjarje të bujshme…
Në anën tjetër:
Telekomi publik po e zëvendësonte teknologjinë e telefonisë mobile, duke kaluar në 4G/5G në tërë vendin, përfshirë edhe veriun.
-Gjithashtu, edhe tek rrejti i shërbimeve fikse po përgatiteshin investime domethënëse.
– Ndërkohë që prej muajit shkurt të këtij viti, programacioni i Telekomit, përkatësisht TV Vala tashmë kishte përmbajtjen më atraktive në vend, duke përfshirë: DigitAlb, Tring, SuperSport e TringSport.
Gjatë gjithë kësaj kohe:
Në Gjykatën Komerciale është luajtur një “ping-pong” i vërtetë në mes të shkallës së parë dhe të dytë – ku shkalla e parë i jepte të drejtë Z-Mobile, kurse shkalla e dytë e kthente në rigjykim, duke kërkuar që të merren parasysh kërkesat e Kushtetueses, ku vendimet i shkonin “në kohë reale” Z-Mobile, kurse të njëjtat vonoheshin t’i shkonin Telekomit edhe për më shumë se 20 ditë vonesë.
Herën e dytë që Komercialja e ka kthyer në shkallë të parë këtë lëndë, është kërkuar edhe zëvendësimi i gjykatësit Aladin Tërshnjaku dhe është kërkuar një ekspertizë e re financiare. Pavarësisht kësaj, gjykatësi i ri i caktuar në këtë lëndë Hasan Kryeziu, pa ekspertizë të re financiare, merr një vendim skandaloz në favor të Z-Mobile. Të kota ishin kërkesat e bazuara të Telekomit për shtyerje, për shkarkim të përmbaruesit, padia e drejtuar kundër akterëve të këtyre akteve të turpshme, përmbaruesi (siç e kanë bërë “rregull” këta), veproi të enjten e kaluar, në orën 15:45. Siç veproj gjykatësi Hasan Kryeziu, më 16 shkurt 2023, një ditë para një vikendi të zgjatur (kur po festonim Ditën e Pavarësisë).
Njejtë patën vepruar edhe në verën e 2020, kur i bllokuan llogaritë e Telekomit ditën e premte e ku më pastaj u grabiten miliona të parasë publike.
Historia e errët e pronësisë së kompanisë Z-Mobile
Kosovanews në bazë të kërkesës për çasje në dokumentet publike e ka marrë në posedim dosjen e kompanisë Z-Mobile, janë mbi 300 faqe dokumente të cilat tregojnë për manovrimet që ka bërë kjo kompani gjatë historisë së pronësisë së saj.
Shumë më pak se emërtimi komercial “ Z-Mobile”, në opinion njihen dy kompani të cilat kanë qëndruar prapa këtij operatori predator që ja kishte zhvatur Telekomit gati 200 Mil. EUR.
Fillimisht, në vitin 2007, ishte regjistruar kompania Dardafon LLC, duke u pasuar me kompaninë Dardanfon.Net LLC.
Sipas dokumenteve të ARBK-së për këto dy kompani në dosjen e tyre ka të dhëna të anonimizuara, një pjesë e materialeve janë gjysmake, kurse tek disa akte, në veçanti të atyre që lidhen me bartjen e pronësisë, mungojnë faqe e edhe pjesë të tëra.
Në vazhdim po e listojmë historiatin e regjistimit dhe ndryshimet në pronësi e në menaxhment të këtyre dy kompanive gjithashtu më poshtë janë të listuara edhe datat e ndryshimit të liçencës, të ngjarjeve që lidhen me arbitrazhin e vendimet gjyqësore vendore që lidhen me teë, si dhe personat që i kanë ndjekur praktikat përkatëse (aplikim për regjistrim, për ndryshime, etj.) pran ARBK-së në emër të Dardafon LLC e Dardafon.Net LLC.
Dardafon LLC:
Themeluar më 9 janar 2007, me adresë në Rr. “Vëllazërim Bashkim” nr. 168, Pejë, me drejtor e pronarë të vetëm z. Ismet Bojkun, nga Peja. (Babai i Esad Bojkut, pronarit të firmës “Granolija” DOO, Novi Sad, Serbi, në selinë e së cilës është e regjistruar edhe kompania “ArtMotion Platforma” DOO, Novi Sad, Serbi,për të cilën pati raportuar ekskluzivisht KosovaNews vitin e kaluar.
Më 29 tetor 2007, struktura pronësore e kësaj kompanie ndryshon, duke u larguar nga struktura pronësore z. Ismet Bojku e duke u zëvendësuar me dy kompani: shoqërinë kosovare “Devolli Company” shpk, me pronarë vëllezërit Blerim e Shkëlqim Devolli dhe Unitel World Inc. – një kompani me seli në shtetin Delaware, ShBA, prapa të cilës qëndron Adrian Shatku nga Shqipëria.
Më 24 shtator 2009, në strukturën pronësore të kësaj kompanie futet edhe një kompani nga ShBA, nëpërmjet degës së saj në Hungari – ViaOne Europe ZRT, me përfaqësues Asheem Aggarwal.
Përgatitja për gllabërimin e Telekomit të Kosovës
Më 30 korrik 2007: Telekomi i Kosovës Sh. A. (atëherë Posta dhe Telekomi i Kosovës Sh. A.) shpallë thirrje për oferta për operator virtual, për kundër faktit se as as nuk figuronte në planin e biznesit për atë vit e as të asnjë viti tjetër paraprak.
Ne konkurs ishin paraqitur Dardadon LLC, dhe dy kompani lokale që funksiononin vetëm proforma.
Ndër kërkesat e konkursit kërkohet vetëm të jenë të licencuara nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikimit (ART), por nuk specifikohej asnjë kufizim, në shtrirje, numër abonentësh, mos-cënim të tregut akutal te PTK-së (Vala), garancë e performancës, e kushte tjera tipike për kontrata te tilla.
Pas shpalljes së pavarësisë atëherë kur të gjitha kompetencat po kalonin në dorë të autoriteteve vendore, më 16 qershor 2008 ART (emri i vjetër i ARKEP) i jep licencë për MVNO (Operatori Virtuel i Telefonisë Mobile) kompanisë Dardafon LLC, pa konkurs, vetëm me kërkesë dhe ate të vet PTK-së, e cila këtë MVNO do te kishte konkurrente?!
Më 25 nëntor 2008, me kërkesë të dy palëve ART e kontrabandon komplet jashtëligjshëm licencën për MVNO nga kompania Dardafon LLC tek një kompani tjetër – Dardafon.Net LLC. Në vazhdim do ti drejtohemi ARKEP-it, mbi bazën e ligjit për qasje në dokumenta publik, me kërkesë për procesverbalet e mbledhjes së ART-së së atëhershme, në të cilë kjo liçencë ishte bartur nga njëra kompani në tjetrën.
Po kjo kompani, Dardafon.Net LLC, e lidhë kontratën me PTK Sh.A., të cilën e nënshkruan Kryeshefi Ekzekutiv i posazgjedhur i PTK-së, Shyqeri Haxha i ardhur nga Londra, e cila kontratë fillon të zbatohet në janar të vitit 2009.
Më heret, me kopmaninë Dardanfon LLC (jo me Dardafon.Net LLC) PTK e kishte parafuar një draft-kontratë, ku nënshkrimin e kishte vënë ud i KEsë së PTK-së, Sebahudin Ramaxhiku. E para kësaj PTK kishte lidhur me Dardafon LLC një parakontratë (head of agreements, dokument që do të bëhet pjesë integrale e kontratës), ku për PTKnë kishte nënshkruar Adnan Merovci, atëherë KE i posazgjedhur i PTK-së, por që ishte dorëhequr disa javë pas emërimit.
Gjatë verës të 2009, ndodhë një “buyout” i partnerëve të vjetër të Devollëve, aksionet e Unitel World Inc. (48%) dhe të ViaOne Europe ZRT (10%) në kompaninë Dardafon LLC (kompani me të cilën ishte fituar liçenca dhe ishte lidhur kontrata e parë me PTK-në, para se të bëhet kalimi i liçencës tek Dardafon.Net LLC), blihen nga aksionari tjetër “Devolli Group” shpk në pronësi të vëllezërve Devolli.
Praktikat ligjore e në institucione i ka ndjekur firma Kalo & Associates, përkatësisht zyrtarët e saj: avokatët Ahmet Hasolli, Sokol Elmazaj, si dhe asistentja Albana Orana. I pari, pas arbitrazhit të parë në periudhën 2016-2019 do të haset si avokat i angazhuar nga Telekomi për te mbrojtur të njëjtin nga Z-Mobile…
Historinë e ‘ngjizjes’ së Z-Mobile, deri në detaje, në dritën e akuzës që EULEX kishte ngritur asaj kohe kundër personave të involvuar, e pat përshkruar PREPORTR në në artikull të 23 nëntorit 2011. (https://preportr.cohu.org/en/investigations/From-BLACK-to-BLACK-48)
Dardafon.Net LLC
E themeluar më 20 nëntor 2008 nga Shkëlqim Devolli si pronar i vetëm dhe agjent i regjistruar dhe me Ismet Bojkun si drejtor me seli në fsh. Miradi e Epërme, Fushë Kosovë, me veprimtari primare: “4010 – prodhimi dhe shpërndarja e enerigjisë elektrike” (?!).
Më 8 shtator 2009 me 10% hyn kompania e ambasadorit të Shqipërisë në Çeki Iliran Kukës – K-Com, për të cilën raportoi ekskluzivisht dje KosovaNews
Më 24 shkurt 2012, aksionet në nivelin 90% dhe përfaqësimi i Shkëlqim Devollit, i kalojnë Blerim Devollit konform një kontrate të depozituar në ARBK. Në këtë kohë për drejtor dhe person të autorizuar emërohet Milot Gjikolli, i cili sot e kësaj dite e mbanë këtë pozitë, ndonëse tash e më shumë se një vit është punëtori i vetëm i kësaj kompanije.
Më 15 tetor 2014 aksionarët e Dardafon.Net LLC – Blerim Devolli dhe Ike Kuka, vendosin të themelojnë një kompani të re – D-Energy shpk.
Në periudhën 9 shkurt 2017 deri më 26 prill 2019, aksionet prej 90% të Blerim Devollit tkurren me 80%, duke ngelur në vetëm 10%. Me një kuotë prej plot 80% i lënë vend një kompanie austriake – shpk-një-anëtarëshe të marrë me lizing nga Blerim Devolli nga një avokat vienez – të cilës ‘qeramarrësi” i ri ja vendosë emërtimin “Devolli” GmbH.
Kjo periudhë pak a shumë përputhet me periudhën e vendimmarrjes dhe epilogut të arbitrazhit të parë. Më 26 prill 2019, kompania Devolli GmbH, i kthehet tek pronarit të vjetër (avokatit vienez), ndërron emër, kurse aksionet e saj në Dardafon.Net LLC i kthehen Blerim Devollit, konform një kontrate për falje të aksioneve. Kjo praktikë, në veçanti fakti që këtyre kompanive (shpk-ve një-anëtarëshe) ju lejohet të tërheqin dividentit me cash, krijon shumë dritë-hije për arsyen e kësaj ‘fiskullture’.
Praktikat në ARBK për Dardafon.Net LLC, në fillim, nga regjistrimi e tutje, i kanë kryer Burim Kuraja e Valon Basha, nga Peja, pastaj, në kohën kur në Dardafon.Net LLC ka hyrë me 10% aksione firma e Ilirian Kukës, edhe avokati Blerim Prestreshi (me adresë në rrugën Rexhep Mala nr. 27, Prishtinë). Më vonë, edhe Arianit Prebreza, jurist nga Fushë Kosova, që ka punuar në Dardafon.Net LLC si asistent ligjor. Valon Basha, sot si avokat është përfaqësues ligjor i Dardafon.Net LLC në çështjen me Telekomin.
Marrëveshja “shpëtimtare” e Agron Mustafës me Blerim Devollin.
Ndonëse vendimit të arbitrazhit ende nuk iu kishte njohur ligjshmëria në Kosovë dhe për mos-njohjen e saj Telekomi kishte bërë padi, më 24 maj 2017, Agron Mustafa, Kryeshef Ekzekutiv i Telekomit bënë marrëveshje paralele me Blerim Devollin për zbatim të një vendimi të arbitrazhit. Ndonëse vendimet e arbitrazheve, sipas ligjeve të vendit tonë, pa u njohur nga gjykatat tona nuk përbëjnë titull ekzekutiv, rrjedhimisht për sistemin tonë juridik nuk egzistojnë.
Mirëpo, Agron Mustafa e njeh të mirëqenë vendimin e arbitrazhit, e tërheqë padinë pranë gjykatave tona për mos-njohje të këtij vendimi të arbitrazhit dhe në anën tjetër ja jep Z-Mobile shërbime 3G/4G (në fakt, vendimi i arbitrazhit kishte kërkuar vetëm pagesën e “gjobës”, jo edhe dhënjen e shërbimeve 3G/4G), si dhe ja zgjatë kontratën për 4 vjet.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Telekomi obligohet që t’i paguaj “vetëm” shpenzimet e arbitrazhit që ishin miliona eur. Pas një kohe të shkurtër, Z-Mobile tërhiqet nga kontrata dhe duke i mbajtur shërbimet dhe pasur një zgjatje të kontratës, e kërkon edhe pjesën tjetër të “gjobës” së arbitrazhit e rastin e dërgon në përmbarim.