Ministri në detyrë i Bujqësisë Armend Muja në një konferencë të jashtëzakonshme ka prezantuar raportin zyrtar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), pas inspektimit të Qumshtores Vita.
Sipas raportit të testimit të AUV-së, mostrat janë marrë nga Qumështorja Vita më 17 korrik 2026, ndërsa analizat laboratorike janë kryer më 20 korrik. Raporti është lëshuar më 5 gusht 2026.
Në pjesën përfundimtare të analizës, laboratori i AUV-së ka dhënë një konstatim të qartë:
“Profili i acideve yndyrore tregon praninë e yndyrës bimore me karakteristika të vajit të palmës. Në deklaracionin e produktit nuk është deklaruar.”


Analiza është kryer në disa mostra të identifikuara si “qumësht UHT”, ndërsa në raport klienti figuron Qumështorja Vita.
Sipas ministrit Muja Qumshtorja Vita ka përpunuar disa lloje të qumshtit UHT me marka të ndryshme tregtare siç janë: Qumshti Hola, My Coë, Land Milk, Barista ku sipas raporteve dhe analizave të AUV kanë rezultuar me përmbajtje të lartë të vajit të palmës.
Çfarë tregojnë analizat?
Në tabelën e rezultateve laboratorike, ndër të tjera, figuron Acid Palmitic (C16:0) – 48.68%, ndërsa Acid Stearic (C18:0) – 44.46%.
Në fund të raportit, laboratori e përmbledh rezultatin duke e lidhur profilin e acideve yndyrore me yndyrë bimore me karakteristika të vajit të palmës.
Një tjetër element i rëndësishëm i raportit është se laboratori shënon se kjo përbërje nuk është deklaruar në deklaracionin e produktit.
Përballë mohimeve të vazhdueshme
Gjetja e AUV-së vjen në një kohë kur, Qumështorja “Vita” në vazhdimësi ka mohuar praninë e vajit të palmës në produktet e saj.
Megjithatë, raporti laboratorik i AUV-së paraqet një rezultat që bie ndesh me këto deklarime, pasi konstaton praninë e yndyrës bimore me karakteristika të vajit të palmës në mostrat e testuara.



