Emisari special i SHJBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të mbajë një konferencë për media të premten, 16 qershor, për ngjarjen e fundit në Kosovë dhe Serbi.
Të mërkurën, Policia e Kosovës ka thënë se tre pjesëtarë të saj janë kidnapuar nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës. Ajo ka prezantuar edhe një hartë nga vendi ku raportohet se u kidnapuan policët. Nga ana tjetër, Serbia pretendon se policët janë arrestuar në territorin e Serbisë, larg kufirit nga Kosova.
Derisa ngjarja ka ndodhur dhe u raportua qysh herët të mërkurën e 14 qershorit, nga bashkësia ndërkombëtare nuk ka pasur reagim. Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar reagim të BE-së, SHBA-së e KFOR-it lidhur me situatën.
KFOR-i ka thënë se është i përfshirë me ngjarjen, por se po pret përgjigje zyrtare nga Serbia se si ka ndodhur rasti.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka vendosur që asnjë mall nga Serbia nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë.
E sot Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë dhe kryeministri i vendit Albin Kurti tha se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”.
Kjo është bërë e ditur pasi ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, e cila është thirrur pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës në veri nga forcat serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se veprimi i djeshëm i Serbisë ishte veprim agresor, të cilët rrëmbyen tre zyrtarë të policisë në brendi të territorit të Kosovës.
Kreu i Qeverisë tha se nuk është shprehur i befasuar me veprimet e Serbisë, por ai ka thënë se është i befasuar me tolerancën dhe heshtjen e ndërkombëtarëve karshi veprimeve të shtetit serb, një ditë pasi kidnapuan tre policë kufitarë në veri.


