Njësitet e Policisë së Kosovës kanë kryer disa bastisje në Prishtinë mëngjesin e së mërkurës. Siç mësohet aksioni është zhvilluar pas dyshimeve për keqpërdorime lidhur me një objekt në lagjen “Lakërishtë” në kryeqytet.
Thuhet se për këtë rast është vendosur që të ketë kontroll në pronat e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të NPB-së.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë duke realizuar disa operacione policore, në disa lokacione/rajone të ndryshme. Pas përfundimit të operacioneve, do të bëhen të ditura detajet shtesë rreth këtyre operacioneve policore”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.
Aksioni është zhvilluar nga Drejtoria për Krimet Ekonomike në Policinë e Kosovës.
Kujtojmë se në gusht të vitit të shkuar, Lëvizja Vetëvendosje pati dorëzuar padi ndaj NPB-së lidhur me dyshimet për keqpërdorime për ndërtimin e objektit multimilionësh.


