Njësitet e Policisë së Kosovës kanë nisur një aksion kundër fajdeve në rajonin e Prishtinës.
Aksioni po zhvillohet në bashkëpunim me organet e tjera të drejtësisë.
Kjo u konfirmua edhe nga zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, i cili tha se operacioni po zhvillohet në disa lokacione.
“Pas përfundimit të operacioneve, do të bëhen të ditura detajet shtesë rreth këtyre operacioneve policore”, shtoi ai.
Ndërkohë Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim te përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse është duke e realizuar një aksion në Prishtinë e Podujevë.
Në njoftim bëhet e ditur se gjatë këtij aksioni janë duke u kontrolluar dhe bastisur, shtëpi dhe lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës dhe Podujevës, për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja”, “Shmangia nga tatimi” ,“Detyrim” dhe “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozi te paligjshëm”.
Lidhur me këtë aksion, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar katër persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale të lartcekura.


