Një dron rus është rrëzuar mbi një ndërtesë banimi në Rumani, duke shkaktuar zjarr dhe plagosjen e dy personave, njoftoi Ministria rumune e Mbrojtjes.
Ngjarja ndodhi të premten në qytetin lindor Galați, pranë kufirit me Ukrainën. Ministria e Jashtme e Rumanisë e cilësoi incidentin si një “përshkallëzim serioz dhe të papërgjegjshëm” nga Federata Ruse, raporton BBC.
Sipas Inspektoratit të Përgjithshëm për Situata Emergjente, ngarkesa shpërthyese e dronit detonoi plotësisht pas përplasjes, duke shkaktuar zjarr në objektin banesor.
Shërbimet emergjente bënë të ditur se dy persona morën trajtim mjekësor për lëndime të lehta, ndërsa rreth 70 banorë u evakuuan derisa zjarrfikësit vunë situatën nën kontroll.
Ky nuk është rasti i parë kur dronë rusë depërtojnë në territorin rumun gjatë luftës në Ukrainë, por është hera e parë që qytetarë rumunë mbesin të lënduar nga një incident i tillë.
Rusia ende nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen.


