Prizren, 10 Qershor 2025 – Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest ka shprehur zhgënjimin e tij të thellë për vendimin e Komunës së Prizrenit që për të dytin vit radhazi të ulë ndjeshëm mbështetjen financiare për festivalin.
Sipas organizatorëve, pavarësisht rritjes së buxhetit të përgjithshëm për kulturë, financimi për DokuFest është reduktuar me gati 30% krahasuar me vitin e kaluar, duke përbërë më pak se 9% të buxhetit total të festivalit. Ky vendim ka ngritur shqetësime në komunitetin artistik dhe kulturor, pasi festivali ka qenë një shtyllë e rëndësishme për promovimin e Prizrenit në arenën ndërkombëtare.
Organizatorët theksojnë se DokuFest nuk është thjesht një aktivitet kulturor, por një investim strategjik për qytetin. Në vitin 2024, festivali tërhoqi mbi 16,700 vizitorë, prej të cilëve rreth 5,000 ishin të huaj, duke gjeneruar një ndikim të konsiderueshëm ekonomik. Raportet tregojnë se shpenzimet e vizitorëve arritën në afro 4.1 milionë euro, ndërsa qarkullimi i bizneseve lokale u rrit me 29% gjatë muajit të festivalit.
Në reagimin e tyre, organizatorët i kanë bërë thirrje Komunës së Prizrenit të rishqyrtojë këtë vendim, duke riafirmuar përkushtimin ndaj kulturës dhe identitetit të qytetit. Ata nënvizojnë se festivali jo vetëm që sjell një rritje ekonomike, por krijon qindra mundësi për punësim dhe zhvillim profesional të të rinjve.
“DokuFest ka vendosur Prizrenin në hartën botërore të kulturës për 24 vite me radhë. Kjo nuk është vetëm një çështje buxhetore, por një vendim që prek identitetin kulturor të qytetit,” thuhet në reagimin e organizatorëve.
Organizatorët kanë ftuar komunitetin artistik, qytetarët dhe donatorët të mbështesin festivalin në këtë moment sfidues, duke theksuar se “Kultura nuk është luks, është zëri i qytetit”.
Reagimi i Plotë:
DokuFest reagon ndaj shkurtimeve të subvencioneve për të dytin vit me rradhë. “Një Nënvlerësim ndaj Kulturës,…
Posted by Dokufest on Monday, June 9, 2025