Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prizrenit i është përgjigjur pretendimeve të DokuFestit, duke theksuar se mbështetja për këtë festival gjatë katër viteve të fundit ka qenë rreth gjysmë milioni euro.
Në komunikatën e DKRS-së thuhet se organet komunale janë krenare për mbështetjen financiare dhe logjistike të ofruar për festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër.
Lexo po ashtu:
“DokuFest-i është krenaria e Kosovës, jo vetëm e Prizrenit. Një festival që i ka sjellë dhe vazhdon ti jap shumë qytetit tonë të kulturës, artit, trashëgimisë, historisë dhe jo vetëm. Komuna e Prizrenit është krenare për mbështetjen e vazhdueshme ndaj festivalit gjatë katër viteve të këtij mandati duke e mbështetur jo vetëm financiarisht, por edhe në të gjitha kapacitetet e tij. Rreth 500 mijë euro është vlera e mbështetjes për DokuFest-in gjatë katër viteve (2022-2025), dhe mbështetje e pakursyer logjistike, organizative dhe hapësira në shfrytëzim”, thuhet në komunikatë, raporton Telegrafi.
Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se DokuFestin e sheh si pjesë të pandashme të identitetit të qytetit të bukur të Prizrenit dhe se mbështetja do të vazhdojë edhe më tej.
“Si vazhdimësi e këtij partneriteti afatgjatë, në edicionin e kaluar, kryetari Shaqir Totaj organizoi një pritje për të gjithë artistët dhe mysafirët e festivalit duke përcjellë mesazhin që i kishte munguar qytetit. E njëjta praktikë do të vazhdojë edhe këtë edicion”, thuhet në komunikatë.
DKRS ka theksuar se në Prizren, po ashtu zhvillohen edhe shumë festivale tjera të njohura dhe aktivitete që e gjallërojnë qytetin gjatë 12 muajve.
“Komuna i mbështetë të gjitha dhe ka qenë e hapur, bashkëpunuese dhe shumë dashamirëse me DokuFestin, për çka e pret të njëjtën edhe nga drejtuesit e Festivalit”, përfundon komunikata.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DokuFest të martën ka shprehur shqetësimin sikurse edhe zhgënjimin ndaj vendimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të Komunës së Prizrenit për të ulur përsëri ndjeshëm mbështetjen financiare për edicionin e këtij viti të festivalit.
Sipas këtij festivali, mbështetja për këtë vit është ulur për 30% në krahasim me vitin e shkuar.