Prokuroria Themelore e Pejës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se për të dy rastet e dhunimit që janë raportuar në komunën e Istogut dhe atë të Klinës tashmë ka ndaluar dy persona nën dyshimin se të njëjtit kryer veprën penale “dhunimi”.
Një tjetër rast i dhunimit të një të miture ka ndodhur në Kosovë, kësaj here në komunën e Istogut. Për këtë rast Policia e Kosovës njoftoi se e ka arrestuar një të dyshuar dhe ai është në mbajtje për 48 orë deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë.
Kurse po sot në raportin e saj 24 orësh Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar një person nën dyshimin për dhunimin e një vajze në Klinë.
Rasti në polici është hapur si “dhunim” dhe sipas raportimit ka ndodhur dy ditë më parë në Klinë.
E tashmë për të dyja këto raste të ndara ka reaguar edhe Prokuroria Themelore e Pejës, e cila ka dhënë disa detaje.
“Në rastin e parë Prokurori i Shtetit ka ndaluar të dyshuarit F.SH, nën dyshimin se i njëjtit ka dhunuar një të mitur në komunën e Klinës. Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për të Mitur, ndaj të pandehurit (F.SH) ka bërë sot kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në Gjykatë Themelore të Pejës, për veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.
Më tej në njoftim thuhet se në rastin e dytë me urdhër të Prokurori të Shtetit është ndaluar i dyshuari M.Z., nën dyshimin se i njëjtit ka dhunuar një të mitur nga komuna e Istogut gjatë muajit të kaluar.
“Po ashtu, gjatë ditës se sotme, Prokurori i Shtetit për të pandehurin M.Z., do bëjë kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në Gjykatën Themelore të Pejës”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se javë më parë u zbulua rasti i tmerrshëm të dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, e cila dyshohet se u dhunua nga pesë persona në muajin gusht, dhe gjashtë persona të tjerë në muajin qershor.
Numri i rasteve të dhunës seksuale në Kosovë mbetet i lartë dhe kjo vazhdon të jetë shqetësuese.
Vetëm në shtatë mujorin e parë të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar 41 raste të dhunimit.
E për gjithë këto raste të abuzimit me vajzat e mitura kritika të mëdha ka marrë sistemi i drejtësisë në Kosovë, pasi prokuroria nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të dyshuarit e dhunimeve, ndërsa gjykata në shumë raste ka dhënë dënime krejt të ulëta për rastet e konfirmuara të dhunimit, shkruan KosovaNews.
Sipas ekspertëve dhe reagimeve të shoqërisë civile neglizhenca e prokurorisë dhe gjyqësorit për këto raste vetëm sa ka ndikuar që abuzuesit të trimërohen dhe të bëjnë edhe më shumë vepra të tilla penale të dhunimit.


