Një person është arrestuar nën dyshimin për dhunimin e një vajze.
Rasti në polici është hapur si “dhunim” dhe sipas raportimit ka ndodhur dy ditë më parë në Klinë.
Njoftimi i plotë i policisë:
DHUNIM/Klinë 10.09.2022 – 23:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer veprën e dhunimit ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Sot me mëngjes është raportuar edhe për një rast tjetër të dhunimit seksual ndaj një të miture në komunën e Istogut.
Viktima dyshohet se është dhunuar rreth një muaj më parë, por sipas policisë për shkak të frikës nuk e ka raportuar rastin në polici deri dje.
Numri i rasteve të dhunës seksuale në Kosovë mbetet i lartë dhe kjo vazhdon të jetë shqetësuese.
Vetëm në shtatë mujorin e parë të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar 41 raste të dhunimit.
E për gjithë këto raste të abuzimit me vajzat e mitura kritika të mëdha ka marrë sistemi i drejtësisë në Kosovë, pasi prokuroria nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të dyshuarit e dhunimeve, ndërsa gjykata në shumë raste ka dhënë dënime krejt të ulëta për rastet e konfirmuara të dhunimit, shkruan KosovaNews.
Sipas ekspertëve dhe reagimeve të shoqërisë civile neglizhenca e prokurorisë dhe gjyqësorit për këto raste vetëm sa ka ndikuar që abuzuesit të trimërohen dhe të bëjnë edhe më shumë vepra të tilla penale të dhunimit.


