Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka kritikuar sërish anëtarët e Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të cilët lejuan të transmetohen në Kosovë kanalet “Arena” të Serbisë, që shfaqen lavde për terroristët që kryen sulmin në Banjskë dhe vranë policin kosovar Afrim Bunjaku.
Edhe në reagimin e sotëm Basha thotë se është i bindur se nuk ka njeri normal që fal terroristet dhe platformat që kërcënojnë shtetin e Kosovës.
Ai në këtë rast (sot) ka kujtuar edhe vendimin e Bashkimit Evropian (BE), për të ndaluar kanalet ruse pas sulmeve që ndodhën në Ukrainë, ndërsa tha se KPM-ja në situatë të ngjashme i lejon kanelet serbe të shikohen në Kosovë.
“Ta dimë ku jemi,
BE ka ndaluar transmetimin disa kanaleve ruse për shkak të invazionit në Ukrainë dhe shpërndarjes së propagandës! Tash çka po ua merr mendja, me kërku falje Putini a e lejon BE-ja transmetimtin? KURRË!
Telekom Serbia transmeton reklamë duke iu thur lavde kriminelëve dhe terroristëve që e vranë Afrim Bunjakun, dhe bordi i KPM-së ia ‘fal’ dhe i lejon prapë transmetimin kanaleve në Kosovë!”, ka shkruar deputeti Basha.
Në këtë rast ai ka shtruar pyetjen se a janë këta më të avancuar se BE-ja, apo janë shitë për djallin!
“Kjo e fundit tingëllon më shumë reale si probabilitet, sepse n𝐮𝐤 𝐤𝐚 𝐧𝐣𝐞𝐫𝐢 𝐧𝐨𝐫𝐦𝐚𝐥 𝐪ë 𝐥𝐞𝐣𝐨𝐧 𝐨𝐩𝐞𝐫𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐩𝐥𝐚𝐭𝐟𝐨𝐫𝐦𝐚𝐯𝐞 𝐪ë 𝐤ë𝐫𝐜ë𝐧𝐨𝐣𝐧ë 𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐞 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯ë𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐢 𝐭𝐡𝐮𝐫𝐢𝐧 𝐥𝐚𝐯𝐝𝐞 𝐭𝐞𝐫𝐫𝐨𝐫𝐢𝐬𝐭ë𝐯𝐞 𝐪ë 𝐤𝐚𝐧ë 𝐯𝐫𝐚 𝐩𝐨𝐥𝐢𝐜ë 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫!”.
Deputeti Basha ka kritikuar edhe ata që po i dalin në mbrojtje vendimit të KPM-së, e cila ia bën argatin Devollëve, e përmes tyre Telekomit të Serbisë.
“Mirë është me cekë që të njëjtën linjë e gjeni edhe Flutura Kusarin me disa tjerë që iu dalin në mbrojtje KPM-së duke u thirrë në pavarësinë e tyre. Mirë boll, veç shpjegone deri në fund, se qysh në emër të pavarësisë KPM-ja po ia bën argatin Devollëve, e përmes tyre Telekomit të Serbisë, e cila si e varun e shtetit serb iu thuri lavde terroristëve që e vranë Afrim Bunjakun, dhe ju vazhdoni me qëndru mbrapa krejt këtij turpi!
Liria e shprehjes është e jashtëzakonshme me kuptu lirinë e budallakisë që e ushtrojnë disa ‘ekspertë’ si kjo zonja në fjalë!”, ka shkruar në reagimin e tij deputeti Basha.


