Gjykata Themelore në Pejë e ka gjykuar me 1 mijë e 500 euro gjobë, të akuzuarin Hanan Mukoviç, për akuzën për dhënie ryshfeti prej 30 euro ndaj zyrtarit policor Ali Bërdynaj, i cili i shqiptoi tiketë për tejkalim të shpejtësisë vozitësit Denis Mukoviç.
Sipas aktgjykimit të shpallur më 2 gusht 2022, i akuzuari Mukoviç fillimisht ishte dënuar me 500 euro gjobë dhe 6 muaj burgim, por ky dënim me pëlqimin e tij iu është zëvendësuar në gjobë prej 1 mijë e 500 euro.
Në kuptim të zbatimit shqiptimit të dënimit unik, në aktgjykim thuhet se gjykata i ka shqiptuar të akuzuarit 1 mijë e 500 euro gjobë, të cilën i pandehuri detyrohet të paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Sipas aktgjykimit, i pandehuri është njoftuar se në rast se nuk e paguan gjobën, gjykata do të zëvendësojë dënimin me gjobë në dënim me burgim.
Ndryshe, deri te shqiptimi i dënimit ndaj të pandehurit ka ardhur pasi i njëjti në shqyrtimin fillestar e ka pranuar fajësinë për veprën penale të dhënies së ryshfetit.
Këtë pranim të fajësisë sic raportin , raporton Betimi për Drejtësi nga ana e të pandehurit, e kishte konsideruar të ligjshëm kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria e Pejës më 1 gusht 2022, i pandehuri Hanan Mukoviç thuhet se më 31 korrik 2022, rreth orës 00:05 min, në rrugën regjionale Pejë-Prishtinë, në fshatin Qyshk, në mënyrë të drejtpërdrejtë u ka ofruar ryshfet në shumë prej 30 eurove zyrtarëve policorë Ali Bërdynaj dhe Damir Fetahoviç.
Sipas aktakuzës, pasi zyrtarët policorë i kishin shqiptuar tiketë-fletëparaqitje kundërvajtëse për tejkalim të shpejtësisë ndaj vozitësit Denis Mukoviç, i pandehuri më pas i vendos policit Ali Bërdynaj në xhepin e uniformës shumën prej 30 euro në prezencë policit Damir Fetahoviç, ku më pas i pandehuri arrestohet nga policët e lartcekur.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.


