Dardan Vuniqi është betuar si anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) në takimin e 243-të të mbajtur të hënën.
Mandati i Vuniqit si anëtar i Këshillit Prokurorial është 5 vjet.
Ndryshe, profesori Vuniqi ishte zgjedhur nga Kuvendi i Republikës me 14 shkurt 2024, ku në votim morën pjesë 90 deputetë, ku prej tyre kandidati Vuniqi mori 49 vota, ndërsa kandidatja tjetër, Emine Abdyli – Pozhari nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” arriti t’i marrë 36 vota, kurse pesë vota u shpallën të pavlefshme.
Kujtojmë se KPK kishte mbetur pa tani ish-anëtarin joprokuror Agron Beka, për shkak se i njëjti ishte shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës, më 15 dhjetor 2023. Për shkarkimin e tij, kishin votuar 62 deputetë.
Pas shkarkimit të Bekës, kishte reaguar edhe KPK-ja, duke paralajmëruar kontestim të vendimit përmes mekanizmave ligjor.
Ndryshe, më 25 shtator 2023 ishte miratuar rekomandimi për inicimin e shkarkimit të anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka, nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.


