Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, e ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj Sh.O. dhe A.O. lidhur me vrasjen e ndodhur ditë më parë në Prizren. Ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje.
“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: I pandehuri Sh. O. dhe i mituri A:O.,, më datë 14.06.2026, në fshatin Kobaj, Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje dhe me dashje privojnë nga jeta viktimën A.O. dhe me atë rast vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit I.O., të shtyrë nga e dyshuara A.O. nëna të pandehurve, në atë mënyrë që pas një konflikti të mëhershëm të lindur nga mosmarrëveshjet, fillimisht përfshihen në një konflikt verbal e më pas fizik me viktimat A.O. dhe I.O., të cilët përdorin mjete të mprehta – thika, i sulmojnë dhe i godasin ata. Sipasojë e goditjeve të marra me thikë në pjesën e gjoksit, viktima A.O. ndërron jetë, ndërsa i dëmtuari I.O. pëson lëndime të rënda trupore, të rrezikshme për jetën, për çka është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Tutje theksohet se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Megjithatë, duke marrë parasysh provat materiale, të cilat e arsyetojnë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet janë në fazën fillestare dhe të pandehurit me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale mund të fshihen apo ikin në arrati, apo të ndikojnë në dëshmitarë dhe në prova, duke pamundësuar zhvillimin e rregullt të procedurës penale.


