Rreth 50 për qind e shpenzimeve të qytetarëve të Kosovës u përdoren gjatë udhëtimeve në Shqipëri, thuhet në raportin e Bilancit të Pagesave të prezantuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Sipas BQK-së, shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë vendit për muajin qershor janë rritur për 18 për qind.
“Shpenzimet e udhëtimit të kosovarëve jashtë vendit, gjatë muajin qershor kanë arritur vlerën e 58.9 milionë eurove që paraqet rritje prej 18 për qind, prej të cilave rreth 46 për qind janë shpenzimet në Shqipëri”, thekson BQK-ja.
Për sa i përket shërbimeve, 90 për qind të shpenzimeve të udhëtimit është krijuar nga diaspora e Kosovës.
“Kategoria kryesore e shërbimeve janë shërbimet e udhëtimi. Vetëm gjatë muajit qershor në Kosovë shërbimet e udhëtimit kanë arritur vlerën 141.3 milionë euro, vitin e kaluar në këtë periudhë kanë qenë 132.3 milionë euro apo 7 për qind më të ulëta se këtë vit. Rreth 90 për qind e shpenzimeve të udhëtimit në Kosovë, përkatësisht 126.6 milionë euro janë shpenzimet e diasporës. Krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar, diaspora këtë vit ka shpenzuar rreth 15 për qind më shumë”, thekson raporti.


