Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj pasi e pranoi si ishte vetë ai që hoqi urdhërarrestin ndaj kriminelit e terroristit, Milan Radoiçiq dhe nuk tregoi arsyet, është përballur edhe me pyetjet për mosngritjen e aktakuza ndaj personave të përfshirë në sulm dhe ndikimet që kishin pasur disa njerëz që çonin fjalë për heqjen e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqin.
Sikurse për heqjen e urdhërarrestit që nuk tregoi arsyet edhe në pyetjet tjera që ka shtruar gazetari i KosovaNews, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, nuk ka dhënë sqarime të qarta.
KosovaNews pyeti Isufajn për atë që kishte thënë vetë ish- prokurori Sylë Hoxha, i cili ka pohuar se kishte njerëz që i kanë çuar fjalë për heqjen e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit.
“Pyetne atë se kush i ka thënë, nëse atij i ka thënë dikush ai ka qenë prokuror, pse ai nuk ka ndërmarrë hapat. Unë këtë informacion e kam parë prej mediave, kurrë nuk ma ka thënë mua. Ai ka qenë prokuror, ka pasur mandat secili që ka mundur me shku me i thënë diçka, ka mundur me i arrestu. Nuk e di pse nuk e ka bërë këtë punë, nëse ka qenë ashtu qysh ka thënë ai”, është shprehur Isufaj.
Kurse Isufaj u pyet edhe për komentet e Kurtit, i cili ka deklaruar se sistemi i drejtësisë përkundër informatave dhe fakteve s’ka ngritur ende asnjë aktakuzë për sulmin terroristë në Banjskë.
Në sulmin paramilimtar serb në Banjskë më 24 shtator, mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Por Blerim Isufaj këtu pati një përgjigje për kryeministrin Albin Kurti.
“Pyetjes së Kryeministrit, as që du me i komentu, sepse nuk është çështje e tij ngritja e aktakuzave. Është çështje e sistemit të drejtësisë. Ne aktakuzat i ngrisim kur i kryejmë hetimet, kur kemi prova dhe nuk mund të na tregoj askush se kur ne duhet të ngrisim aktakuza ose kur duhet të pushojmë hetime. Ne i përgjigjemi secilit me punën tonë më atë që e prezantuam këtu sot”, ka thënë Isufaj.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj e ka pranuar të premten se ishte vetë ai që ka dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj kriminelit e terroristit, Milan Radoiçiqit.
Këtë konfirmim Isufaj e dha të premten gjatë një konference të fundvitit dhe është pyetur nga gazetari i media KosovaNews.
Por, Isufaj ka thënë se s’mund t’i bëjë publike arsyet pse hoqi urdhërarrestin për Radoiçiqin, për siç tha ‘shkak të hetimeve’.
“Pa miratimin tim nuk kishte mundur me bë, nuk diskutohet kjo. Unë kam dhënë pëlqimin, por arsyeja pse e kam dhënë pëlqimin nuk mund t’a bëjë publik, pikë. Kjo është një çështje. Këto janë çështje të ndjeshme, çështje të hetimit. Nuk mundet me ditë opinioni secilën situatë, pse ne çka ne bëjmë”, ka deklaruar Isufaj, duke arsyetuar vendimin e tij.
Më 19 shkurt 2021, Prokuroria Speciale kishte kërkuar revokimin e urdhërarrestit ndaj Radoçiqit ndërsa gjykata e kishte aprovuar këtë kërkesë më 23 shkurt 2021. Urdhërarresti ishte lëshuar në gusht të 2020-ës nën dyshimin se Radoiçiq ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.
Ai ka thënë se urdhërarresti pastaj është rikthyer dhe po vazhdojnë hetimet.
Kujtojmë se Isufaj ishte kandidati i vetëm i propozuar nga Këshilli Prokurorial për Kryeprokuror të Shtetit, pozitë kjo më e larta në institucionet e ndjekjes. Por dekretimi i tij po refuzohet nga presidentja Vjosa Osmani. Edhe liderët e tjerë shtetërorë janë kundër zgjedhjes së tij.
E para e shtetit, Vjosa Osmani doli rreth dy muaj më parë në një konferencë për media dhe tregoi se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Ajo tha se këtë vendim e mori pas shqyrtimit të ankesave të shumta nëpër gjykata.
Osmani ka theksuar se procesi për Kryeprokuror është përcjell me shumë parregullsi dhe me shumë shkelje procedurale.
Në përkrahje të vendimit të presidentes Vjosa Osmani kanë dalë edhe organizata joqeveritare që monitorojnë sistemimin e drejtësisë së Kosovës, Zyra e BE-së në Kosovë, ambasadorë të shumtë nga vendet e QUINT-it. Ata kanë kërkuar që ky proces me të drejtë duhet anuluar dhe në përsëritjen e tij KPK nuk duhet të bëj shkelje të tilla.