Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se në thesarin e Kosovës këtë vit ka më pak mjete se në vitin e kaluar.
Bislimi ka kërkuar nga opozita në seancën e Kuvendit të së premtes që t’i ndalë dezinfomatat lidhur me këtë, duke shtuar se janë rritur edhe të hyrat për 12 për qind.
“Dua të deklarohem për atë që gjoja që qeveria po i mban paratë në thesar dhe nuk po i shpenzon. Në ditën e sotme të vitit të kaluar në thesar kemi pasur 702 milionë euro, sot kemi 607 milionë euro kemi mjete më pak se vitin e kaluar. Në ndërkohë qe të hyrat janë rritur 12 për qind është mirë ta ndaloni këtë dezinformatë se nuk i shërben askujt”, ka thënë Bislimi.
Ndërkaq pas kësaj ka reaguar deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se shifrat thonë se Qeveria e ka thyer rekordin e vetes me deficit.
“Zëvendëskryeministri është shumë inteligjent. Unë i shoh shifrat, s’jam inteligjent sa është ky, shifrat thonë qe e keni thyer rekordin e vetes me deficit. Me Serbinë i ke rritur 13 për qind importet e me Shqipërinë i ke zvogëluar për 10 për qind”, ka thënë Hoti.


